Arrestohet shtetasi i Maqedonisë në Turqi, njihet si bashkëpunëtor i afërt i Sedat Peker

Shtetasi i Maqedonisë Boban Tomovski, me qëndrim në Berlin të Gjermanisë, bashkëpunues i narko-bosit Sedat Peker, është arrestuar në aeroportin e Stambollit dhe pritet të shtunën të ekstradohet në Maqedoni.

Siç shkruajnë mediumet turke, përcjell Telegrafi Maqedoni, Tomovski është arrestuar gjatë tentimit për të udhëtuar për në Egjipt.

Sipas mediumeve turke, Tomovski ka qenë i përfshirë në kontrabandën e drogës nga organizata e Peker dhe së bashku kanë vepruar gjatë qëndrimit të narko-bosit turk në Maqedoni.

“Përfundimisht, lideri i organizatës kriminale Boban Tomovski, i njohur për afërsinë me Sedat Peker, është kapur në Aeroportin Sabiha Gikçen. Tomovski, i cili ka qenë i përfshirë në kontrabandën e drogës, është arrestuar gjatë tentimit për të udhëtuar në Egjipt”, shkruajnë mediumet turke.

Më tej theksojnë se Tomovski ka shpërndarë postime të shumta me Pekerin dhe ka pasur shumë hyrje dhe dalje nga Turqia.

Ndryshe, emri i Sedat Peker është pjesë e aferës së pasaportave false, të cilat autoritetet e Maqedonisë i kanë dhënë për narko-bosët në rajon.

Kategoritë
LajmeVendi