Avokati i Veselit parashtron një kërkesë për 11 personat që u paraqitën si viktima të UÇK-së

11 persona si viktima të pretenduara të UÇK-së janë pranuar të marrin pjesë në gjykimin kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare në Gjykatën Speciale në Hagë.

Këta 11 persona që në të ardhmen do të jenë pjesë e procesit kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është propozuar nga regjistri që të jenë nën kushte të plota anonimiteti, shkruan lajmi.net.

Mirëpo, avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, ka kundërshtuar ashpër që këto viktima të pretenduara të UÇK-së të kenë anonimitet të plotë. Sipas Emmerson, kjo përbën shkelje flagrante të të drejtave të një akuzuari.

“Mbrojtja e kundërshton fuqimisht propozimin e Sekretarisë për t’u dhënë anonimitet të plotë të gjithë aplikantëve. Një propozim i tillë nuk mbështetet nga Rregullat ose ligji dhe përbën shkelje flagrante të të drejtave themelore kushtetuese dhe ndërkombëtare të njeriut dhe të të akuzuarve; dhe është në kundërshtim me nenin 22(9) të Ligjit duke e ndaluar mundësinë e referimit në kontest civil në gjykatat tjera të Kosovës. Në çdo rast, Mbrojtja parashtron se rrethanat specifike të secilit kërkues nuk përbëjnë “rrethana të jashtëzakonshme” për qëllimet e Rregullit 80(4)(e)”, ka thënë Emmerson.

Emmerson tutje thotë se mos-njohuria për identitetin e viktimave të paraqitura, do ta privonte atë nga kundërshtimi efektiv për statusin e këtyre personave.

Madje ai thotë se mbrojtjes do t’i ndalohej edhe zbulimi i çdo deklarimi të rremë apo identiteti të sajuar.

“Së dyti, pa njohuri për identitetin e viktimave që marrin pjesë në procedurë, mbrojtja nuk do të ishte në gjendje të kundërshtonte në mënyrë efektive statusin e viktimave individuale përpara se një vendim përfundimtar t’i identifikonte ato si të tilla. Për më tepër, mbrojtjes do të ndalohej nga hetimi dhe zbulimi i çdo rasti të deklarimit të rremë ose identitetit të sajuar”, ka thënë ai.

Kujtojmë se gjyqtari paraprak ka pranuar aplikacionet e 11 personave, viktimave të pretenduara që të marrin pjesë në procedurën kundër krerëve të UÇK-së.

Ndërkaq, një personi i është refuzuar ky aplikim.

Krerët e UÇK-së ndërkaq pritet që së shpejti ta dërgojnë në apel refuzimin e gjyqtarit paraprak për t’i liruar ata nga paraburgimi.

Kategoritë
LajmeVendi