Bajrami për ndërhyrjen e NATO-s: Nuk guxojmë të jemi përbuzës, UÇK ishte faktor përcaktues

”…pikërisht duke qenë faktor përcaktues, UÇK arriti që ta sjell edhe bashkësinë ndërkombëtare para një fakti të kryer, dhe ta bëjë për veten e saj, ta bëjë aleate dhe ajo ndërhyri. Në të kundërtën nuk do ta kishim këtë ndërhyrje”.
Gazetari pensionist, Asllan Bajrami, ka treguar përjetimet e tij të 22 vjetëve më parë, të raportimit rreth fushatës paqeruajtëse të forcave të NATO-s në Kosovë.

Ai në Info Magazine ka thënë se ajo kohë është një nga datat më të rëndësishme të historisë moderne të shqiptarëve të Kosovës, njofton Klan Kosova.

”Kam pasur fatin që të jem gazetar i atashuar në procesin e Rambujesë në të dy raundet – dhe në një mënyrë kam qenë në rrjedha të të gjitha informacioneve të mundshme. Qoftë kur filluan bombardimet më 24 mars, dhe pastaj fushata që zgjati deri më 12 qershor, përkatësisht 78 ditë”.

”Nuk isha i befasuar, kjo gjë pritej sepse edhe në dokumentin e Rambujesë parashikoheshin të gjitha dinamikat e mundshme, për ta zmbrapsur, agresorin serb në krye me Sllobodan Millosheviqin”.

”Data 12 qershor për mua ka qenë e ditur dy-tre ditë përpara. Sepse më 9 qershor në Kumanovë filluan takimet e ashtuquajtura tekniko-ushtarake. Faktikisht ajo ishte një kapitullim i Serbisë”.

”Mua më duhej në Tiranë diku më datën 8, të akreditohem pranë zyrës së NATO-s që ishte në Tiranë, dhe aty më tërheqin vëmendjen që të jem shumë i kujdesshëm, -duhet të sjell këtë emocion për teleshikuesin për faktin që këtë nuk e kam transmetuar në kronika – se mund të goditem unë apo ekipi im, nga snajperë serbë që mund të ishin nëpër shkurre të maskuar etj”.

Tutje ai thekson se gjithë këtë arritje, që Kosova sot të frymonte lirshëm, nderimi i parë duhet t’i bëhet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, njofton Klan Kosova.

”Ne sot nderimin e parë gjithmonë dhe kurdoherë dhe kurdo që flasim për të kaluarën tonë, duhet t’ja dedikojmë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – ajo ishte faktori përcaktues që vuri në lëvizje gjithë spektrin organizativ shoqëror, civil, brenda shqiptar dhe kudo në diasporën tonë”.

”Por, pikërisht duke qenë faktor përcaktues, UÇK arriti që ta sjell edhe bashkësinë ndërkombëtare para një fakti të kryer, dhe ta bëjë për veten e saj, ta bëjë aleate dhe ajo ndërhyri. Në të kundërtën nuk do ta kishim këtë ndërhyrje”.

”Janë ngjarje që na kanë sjell këtu ku jemi. Dhe nuk guxojmë ne sot në asnjë moment të jemi përbuzës. Duhet t’i vlerësojmë këto, duhet t’i lartësojmë sepse ua kemi për borxh, për ata që kanë derdhur gjakun, për ata që sot janë veteranë, invalidë, për ato nëna, për ata djem të ri, vajza që kanë qenë në shërbim të luftës pavarësisht se kanë qenë të rinj”.

Kategoritë
LajmeVendi