Ballkani nuk i beson më Bashkimit Evropian

Nga Benjamin Haddad & Damir Marusic “Foreign Policy

Në Ballkanin Perëndimor, një rajon i njohur për gjenerimin e krizave të vështira, shpesh lajmet e mira nuk nënvlerësohen. Më 29 korrik në Shkup, kryeministri i Maqedonisë Veriut, Zoran Zaev, presidenti i Serbisë Aleksandar Vucic dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, u mblodhën në një samit për të njoftuar fillimin e “Open Balkan”, një nismë që synon të forcojë integrimin ekonomik rajonal.

Të tre udhëheqësit u zotuan të heqin kontrollet kufitare midis vendeve të tyre deri në janarin e vitit 2023. Deri tani ky lajm është pritur me një inkurajim të kujdesshëm. Integrimi ekonomik rajonal është një synim që e mbështesin të gjithë në Perëndim, deklaruan Uashingtoni dhe Berlini në deklarata të veçanta, dhe çdo përpjekje për ta arritur atë është e mirëpritur.

Por jo zyrtarisht ka më shumë hezitime. Diplomatët evropianë pyesin veten nëse kjo përpjekje mund të dëmtojë përpjekjet ekzistuese të Bashkimit Evropian për të nxitur dialogun dhe bashkëpunimin rajonal (i ashtuquajturi Procesi i Berlinit) apo më keq akoma, të krijojë një alternativë ndaj anëtarësimit në BE.

Në një turne rajonal në muajin korrik që na çoi në Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe Shqipëri, ne e ndjemë optimizmin mbi këtë iniciativë në mesin e politikë-bërësve lokalë dhe drejtuesve të bizneseve, që janë jo pak të zhgënjyer nga procesi i ngecur i anëtarësimit në BE.

Kryeministri i Shqipërisë, ka qenë veçanërisht i hapur në publik, duke e krahasuar atë me përvojën e të qenit në mënyrë të përsëritur në altar por pa u martuar. “Zgjerimi nuk ka ngecur. Ai është ndalur”- na u ankua një udhëheqës tjetër gjatë një sërë bisedash konfidenciale që zhvilluam me zyrtarët rajonalë.

Anëtarësimi në BE po bëhet gjithnjë e më shumë një barrë për votuesit e lodhur nga dëgjimi i premtimeve të pa mbajtura. Dhe në fakt politikanët kanë të drejtë të jenë të dëshpëruar. Në vitin 2003 në Selanik të Greqisë, udhëheqësit evropianë u deklaruan vendeve të Ballkanit Perëndimor se e ardhmja e tyre përfundimtare ishte në BE.

Termi “perspektivë evropiane” për rajonin, përdoret thuajse në çdo komunikatë tëBrukselit që nga ajo kohë. Por vullneti politik nuk ka qenë kurrë në të njëjtin hap me retorikën. Dhe mbështetja për zgjerimin në mesin e votuesve ka rënë në të gjithë kontinentin që nga anëtarësimi i Kroacisë në vitin 2013.

Gjatë dekadës së fundit, BE-ja është përballur me një valë krizash, nga kriza financiare e vitit 2008, deri tek ajo e emigrantëve, efektet e së cilës u përkeqësuan nga të metat strukturore të brendshme të vetë bllokut.

Presidenti francez Emmanuel Macron, që udhëhoqi përpjekjet për miratimin e një metodologjie të re, më të rreptë dhe të kthyeshme të zgjerimit të unionit, po këmbëngul në ndërmarrjen e reformave të gjera në institucionet ekzistuese evropiane, para se të pranohet në bllok ndonjë vend të ri.

Ndërkohë, shqetësimet për krimin e organizuar po e zbehin mbështetjen për zgjerimin në vende të tilla anëtare si Holanda. Dhe për të qenë të sinqertë, evropianët nuk e kanë gabim kur e cilësojnë korrupsionin dhe problemet me sundimin e ligjit, si shembujt të një përparimi zhgënjyes të vendeve aspirante.

Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit i vitit 2020, e renditi Serbinë në vendin e 94 nga 180 vende të botës. Shqipëria renditej në vendin e 104 dhe Maqedonia e Veriut në vendin e 111. Fakti që anëtarët e BE-së si Hungaria dhe Polonia, po bëjnë hapa pas në aspektin e demokracisë, dhe që Bullgaria dhe Rumania po vazhdojnë të përballen me korrupsionin e nivelit të lartë thuajse një dekadë e gjysmë që nga anëtarësimi, nuk përbëjnë një nxitje për pranimin e nxituar të më shumë anëtarëve në klubin evropian.

Përballë perspektivave të tilla të zymta, vlen të përmendet se asnjë nga themeluesit e “Open Balkan” nuk e sheh këtë nismësi një alternativë ndaj anëtarësimit në BE, por si plotësues të proceseve ekzistuese. Vucic, Rama dhe Zaev na thanë gjatë udhëtimit tonë se qëllimet e projektit ishin modeluar sipas tregut të përbashkët evropian, dhe veçanërisht në përpjekjen për të garantuar “katër liritë” e tregut (lëvizja e lirë e mallrave, kapitalit, shërbimeve dhe njerëzve).

Memorandumi i mirëkuptimit i nënshkruar në samitin e fundit, premton të përmbushë premtimin e lëvizjes së lirë të mallrave brenda 6 muajve të ardhshëm, dhe lëvizjen e lirë të njerëzve deri më 1 janar 2023. Ata thonë se thelbi i nismës është t’u ofrojë sa më shpejt që të jetë e mundur përfitime të prekshme qytetarëve të tyre.

Në veçanti, Serbia po përballet me një mungesë të fuqisë punëtore, ndaj dëshiron të lehtësojë kalimin e kufirit nga maqedonasit dhe shqiptarët për të punuar atje. Në planin afatgjatë, asnjë nga vendet nuk është aq i madh sa të tërheqë investime të mëdha transformuese nga kompanitë perëndimore.

Një treg i përbashkët mund të jetë shumë më joshës. Ndërsa emri i nismës “Ballkani i hapur” sugjeron në mënyrë të hapur një ftesë për të tjerët, mungesa e Kosovës, Bosnjës dhe Hercegovinës dhe e Malit të Zi në samitin e Shkupit, ra shumë në sy.

Të tre këto vende mbeten skeptike, duke argumentuar se nisma e re kopjon zhvillimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal, për të cilin ranë dakord 6 vendet në Sofje të Bullgarisë vitin e kaluar si pjesë e Procesit të Berlinit. Ata shqetësohen se pjesëmarrja në një nismë që nuk është projektuar nga BE, do të ndikojë në perspektivat e tyre të anëtarësimit në union, sado të largëta që mund të jenë ato.

Natyrisht, kjo gjë nuk është e vërtetë. Dera e Evropës është të paktën për momentin, e hapur njëlloj për të gjithë. Dhe siç kemi theksuar më lart, edhe pse si udhëheqësit amerikanë ashtu edhe ata evropianë kanë shqetësime në lidhje me nismën “Open Ballkan”, paqartësia e qëllimshme e deklaratave të tyre- duke shprehur mbështetje për integrimin ekonomik rajonal, por pa specifikuar se cili mjet është më i mirë për ta arritur atë -e tradhton dykuptimësinë reale mbi këtë çështje.

E vërteta është se një nismë si “Ballkani i hapur” do të dështojë ose do ketë sukses në zbatimin e saj. Takimi i fundit solli nënshkrimin e vetëm një marrëveshje detyruese, që premton të garantojë ndihmë të ndërsjellë në raste emergjencash, teksa pjesa tjetër e propozimeve ambicioze do të zbatohen në nivele më të ulëta të qeverisë gjatë muajve të ardhshëm.

Në këtë pikë, Perëndimi do të tregohej i zgjuar po ta ndihmonte nismën që të kishte sukses, duke siguruar që të ruhet premtimi i saj për të qenë i hapur ndaj të gjithë rajonit. Tabloja e madhe ka më shumë rëndësi. Duke ardhur pas Marrëveshjes së Prespës midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, nismat si “Open Balkan” sinjalizojnë se në terren po ndodh diçka e rëndësishme dhe realisht e shëndetshme:Liderët lokalë po marrin në dorë fatet e vendeve të tyre, dhe po tregojnë kreativitet. Kjo qasje duhet përqafuar dhe inkurajuar. Në veçanti BE-ja duhet qëtë shfrytëzojë rastin për të qenë më fleksibël.

Vucic e përdori samitin e fundit si një justifikim për të botuar një artikull në një nga të përditshmet kryesore serbe, ku u bëri thirrje bashkëqytetarëve të tijtë shohin drejt një të ardhmeje më shpresëdhënëse në vend se të vazhdojnë të ushqejnë urrejtjen e vjetër ndaj shqiptarëve.

Ky nuk është veçse manifestimi më i fundit i një “shkrirjeje akujsh” që është projektuar prej më shumë se 1 viti. Që nga kjo verë, serbët përfaqësojnë kombësinë e dytë më të madhe që viziton plazhet e Shqipërisë, një shifër mbresëlënëse duke pasur parasysh historinë e dekadave të fundit. Janë të mundshme surpriza më pozitive, madje ka të ngjarë të nisë një cikël prosperiteti.

Shënim: Benjamin Haddad, drejtor i Nismës për Evropën e Ardhshme në Këshillin Atlantik në Uashington. Damir Marusic është anëtar në Këshillin Atlantik.

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al


Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.

Kategoritë
OPINIONEOpinione - Ballina