“Ballkani Perëndimor ka një rol të veçantë për Evropën”

Kryediplomati i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, u shpreh se zgjerimi i BE-së është para së gjithash një çështje sigurie, duke theksuar se ngecja e procesit eurointegrues po ngjall skepticizëm në rajon

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, mori pjesë në panelin “Dialogu i Pajtimit në Ballkan” në kuadër të Forumit të Diplomacisë në Antalya së bashkë me përfaqësues të shumicës së vendeve të Ballkanit Perëndimor, raporton Anadolu Agency (AA).

Përpos ministrit Osmani, në panel morën pjesë edhe zv/kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç; ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gervala-Schwartz; ministrja e Evropës dhe Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka, Përfaqësuesi i Lartë për Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt, Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajçak.

Kryediplomati i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në fjalën e tij në panel u shpreh se zgjerimi i Bashkimit Evropian (BE) është para së gjithash një çështje sigurie, duke theksuar se ngecja e procesit eurointegrues po ngjall skepticizëm në rajon.

“Njerëzit po pyesin ‘a është BE serioze’, sa i përket zgjerimit”, u shpreh Osmani, duke parë zhvillimet në lidhje me procesin eurointegrues të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, respektivisht bllokadën bullgare për kontestin me Maqedoninë e Veriut.

“Rajoni i Ballkanit Perëndimor, pavarësisht deficiteve dhe dobësive të tij demokratike, ka një rol të veçantë në dhe për Evropën. Integrimi i plotë është në interes të drejtpërdrejtë të politikës, sigurisë dhe ekonomisë së BE-së, si investim gjeostrategjik drejt një rajoni të qëndrueshëm dhe prosperues në kuadër të Evropës kontinentale”, shkroi më pas kryediplomati Osmani në rrjetet sociale.

“Ky rajon është zemra e Evropës, i rrethuar nga shtetet anëtare të BE-së dhe nuk duhet lejuar të jetë një pikë e ndejshme e kontinentit, dhe BE-ja nuk duhet ta trajtojë më procesin e anëtarësimit në Ballkanin Perëndimor si një çështje të hapur të papërfunduar”, shtoi ai.

Përfaqësuesi i BE-së, Miroslav Lajçak, bëri thirrje që vendet e Ballkanit Perëndimor të përmbushin angazhimet e tyre, gjithashtu duke rikujtuar se është i vetëdijshëm që procesi i integrimit ka zgjatur më shumë se sa duhet.

Kryediplomatja e Shqipërisë, Olta Xhaçka, foli rreth rrezikut të ndikimit të palëve të treta në Ballkanit Perëndimor, duke theksuar nga ana tjetër edhe ngadalësimin e procesit eurointegrues të vendeve të rajonit.

Kryediplomatja e Kosovës, Donika Gervala-Schwartz, u shpreh se ndjehen të kërcënuar nga lufta në Ukrainë. Ajo tha se Ballkani Perëndimor duhet të përafrohet më shumë me BE-në, duke theksuar edhe nevojën që 5 shtetet anëtare të BE-së të njohin Republikën e Kosovës.

Zv/kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, në fjalën e tij bëri thirrje për lehtësim të procesit integrues në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ai u shpreh se qytetarët e Malit të Zi, tani ma situatën në Ukrainë e kanë kuptuar rëndësinë e anëtarësimit në NATO, duke theksuar në mënyrë të ngjashme e shohin edhe procesin integrues në BE.

Ndryshe, siç u shpreh ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, mbi një e treta e botës po përfaqësohet në Forumin e Diplomacisë në Antalya, duke shtuar se ky event ka mbledhur pjesëmarrës nga 75 vende, duke përfshirë 17 krerë shtetesh, 80 ministra dhe 39 përfaqësues të organizatave ndërkombëtare.

Kategoritë
LajmeRajoni