“Ballkani Perëndimor mbetet prioritet për Mbretërinë e Bashkuar”

Bujari dhe Truss diskutuan për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe, por pjesa më e madhe e bisedës iu kushtua sfidave rajonale dhe perspektivës evropiane të vendit.

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, qëndron në Londër ku u takua me Sekretaren e Shtetit për Punë të Jashtme, Komonuelth dhe Zhvillim të Mbretërisë së Bashkuar, Liz Truss.

Në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ) të Maqedonisë së Veriut thuhet se dy ministrat diskutuan për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe, por pjesa më e madhe e bisedës iu kushtua sfidave rajonale dhe perspektivës evropiane të vendit.

“Në takim u konstatua se rrjedha e zbatimit të Marrëveshjes për Partneritet, Tregti dhe Bashkëpunim ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Mbretërisë së Bashkuar është komponent shumë i rëndësishëm në zhvillimin e marrëdhënieve të përgjithshme. U fol edhe për bashkëpunimin e vazhdueshëm të suksesshëm në fushën e mbrojtjes, teksa jashtëzakonisht e rëndësishme është mbështetja afatgjate e Britanisë së Madhe në forcimin e kapaciteteve ushtarake të vendit tonë dhe sigurisht bashkëpunimin në NATO, si një tjetër hallkë lidhje mes dy vendeve edhe në të ardhmen”, thuhet në njoftim.

Nga MPJ thonë se bashkëbiseduesit arritën në përfundimin se Ballkani Perëndimor luan një rol të rëndësishëm për stabilitetin dhe përparimin e përgjithshëm të Evropës dhe integrimi i rajonit në BE është një interes i ndërsjellë gjeostrategjik nga pikëpamja politike, e sigurisë dhe ajo ekonomike.

“Bashkëbiseduesit konstatuan se në rajon është e domosdoshme të intensifikohet angazhimi dhe prania e Mbretërisë së Bashkuar, SHBA-së dhe BE-së, gjë që do të kontribuonte në arritjen e qëllimit të përbashkët: Një rajon stabil dhe prosperues. Perspektiva evropiane dhe euroatlantike mbeten forca kryesore lëvizëse për transformimin e të gjitha vendeve të rajonit në shoqëri të zhvilluara demokratikisht dhe ekonomikisht dhe në këtë drejtim hapja e negociatave të anëtarësimit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me BE-në do të ndikojë pozitivisht për stabilitetin dhe zhvillimin afatgjatë të të gjithë kontinentit”, thuhet në njoftim.

Në margjinat e takimit ministror në Londër, Osmani u takua edhe me Stuart Peach, Përfaqësues Special i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor; Miroslav Lajcak, Përfaqësues Special i BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe Dialogun Beograd-Prishtinë dhe Gabriel Escobar, Zv/ndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike dhe Përfaqësues Special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.

Kategoritë
BotaLajme