Banka Botërore shpalos planin 30-miliardë-dollarësh për të trajtuar krizat globale të ushqimit

Financimi synon të inkurajojë prodhimin e ushqimit dhe plehrave, të përmirësojë sistemet ushqimore, të lehtësojë tregtinë më të madhe dhe të mbështesë familjet dhe prodhuesit e cenueshëm, tha banka

 Banka Botërore njoftoi sot se do të shpenzojë 30 miliardë dollarë gjatë 15 muajve të ardhshëm për të trajtuar pasigurinë ushqimore globale të shkaktuar nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Financimi synon të inkurajojë prodhimin e ushqimit dhe plehrave, të përmirësojë sistemet ushqimore, të lehtësojë tregtinë më të madhe dhe të mbështesë familjet dhe prodhuesit e cenueshëm, tha banka në një deklaratë.

Duke vënë në dukje se rritja e çmimit të ushqimeve ka “efekte shkatërruese” për më të varfërit dhe më të cenuarit, Presidenti i Grupit të Bankës Botërore, David Malpass, ka thënë: “Vendet duhet të bëjnë përpjekje të përbashkëta për të rritur furnizimin me energji dhe plehra, të ndihmojnë fermerët të rrisin mbjelljet dhe rendimentet e të korrave, dhe të heqin politikat që bllokojnë eksportet dhe importet, devijojnë ushqimin drejt biokarburanteve ose inkurajojnë ruajtjen e panevojshme”.

Në deklaratë thuhet se banka po përgatit projekte të reja në vlerë 12 miliardë dollarë për 15 muajt e ardhshëm për të mbështetur bujqësinë, mbrojtjen sociale për të zbutur efektet e çmimeve më të larta të ushqimit dhe projektet e ujit dhe ujitjes, ndërsa shumica e burimeve do të shkojnë në Afrikë dhe Lindjen e Mesme, Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, si dhe në dhe Azinë Jugore.

Kategoritë
BotaLajme