Banorëve të Prishtinës ende nuk u shpërndahen në tërësi pagesat e rimbursimit për COVID-19

Edhe pse kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti kishte njoftuar që të gjithë qytetarëve të Prishtinës të cilët e kanë kaluar si dhe e kanë të konfirmuar infektimin me COVID-19, do të ju ndahen nga 50 euro si pagesë rimbursuese për shpenzimet shëndetësore, ky vendim ende nuk është ekzekutuar në tërësi nga Thesari i Shtetit për një pjesë të banorëve të kësaj komune. 

Disa qytetarë në redaksi të Telegrafit kanë treguar se ende nuk iu është dhënë shuma prej 50 eurove edhe pse në muajin dhjetor e kanë kaluar infektimin me COVID-19 dhe në të njëjtin muaj kanë aplikuar në platformën online të ofruar nga komuna.

Në aplikimin online thuhet se, “aplikimi për rimbursim duhet të bëhet dy javë pas marrjes së rezultatit pozitiv COVID-19”.

Ndërkaq, Telegrafi ka dërguar pyetje te Komuna e Prishtinës për arsyen e mos ndarjes së mjeteve në tërësi, mirëpo ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Gjithashtu Telegrafi, pyetje të tilla kishte dërguar edhe në Ministrinë e Punës, Financave dhe Transfereve për të parë se pse nuk është bërë ekzekutimi nga ana e Thesarit të Shtetit, për të cilën çështje nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Ndryshe, kryetari Shpend Ahmeti tre muaj më parë kishte deklaruar se Thesari kishte ekzekutuar pagesat e rimbursimit për COVID-19 ndaj tre mijë qytetarëve të kësaj komune.Ai pati premtuar që ditëve në vijim do të vazhdohej me përfundimin e listës së parë, e cila listë i ka gjashtë mijë aplikues për rimbursimin e shpenzimeve shëndetësore, mirëpo ky vendim ende nuk është ekzekutuar në tërësi.

Kategoritë
LajmeVendi