Barazimi me Francën e emocionon, përlotet trajneri i Hungarisë (Video)

Hungaria dha gjithçka, pati edhe edhe fatin me vete dhe ia doli të frenojë kampionët në fuqi të botës. 1-1 përfundoi takimi ndaj Francës, i vlefshëm për grupin F të Euro 2020. Rezultat fantastik për kombëtaren hungareze, që bëri të lumtur 67 mijë tifozët e pranishëm në “Puskas Arena”.

Në stol është një italian. Marco Rossi ndihet krenar për lojën e djemve të tij, aq sa nuk mundi t’i përmbajë emocionet në prononcimin e dhënë pas ndeshjes së ditës së djeshme. 56-vjeçari u përlot në transmetimin live, ku ndër të tjera tha:

Lojtarët luajtën me guxim të madh, jam krenar për ta. Nuk jam kaq budalla dhe arrogant sa të them që do të shkojmë në Mynih për fitore. Jo, do shkojmë në Mynih për të synuar të bëjmë një paraqitje të mirë dhe për të luajtur ndeshjen tonë.

Sigurisht duke qëndruar me këmbë në tokë. Sot është një ditë e veçantë për mua, dhe kaq… “, deklaroi i emocionuar trajneri italian i kombëtares hungareze, që sfidën e fundit e luan në Gjermani ndaj kombëtares vendase.

Kategoritë
Sport