Barcelona lë “Camp Nou” për një vit, dy opsione në tavolinë për t’u transferuar

Barcelona është në krizë të thelë financiare dhe po kërkon zgjidhje për të mbuluar borxhet, por nuk ka ndërmend të heqë dorë nga projekti i “Espai Barça”, që ka të bëjë me rimodelimin e “Camp Nou”: modernizimin dhe rritjen e kapacitetit, si dhe mbulimin e tribunave.

Klubi ka ndërmend të shpejtojë me punimet dhe ka planifikuar që për një vit skuadra të luajë jashtë “Camp Nou”. Ata do të transferohen në një tjetër stadium në Katalunjë dhe një nga mundësitë është stadiumi i sapondërtuar, “Johan Cruyff”.

Është një stadium i vogël, i ndërtuar për femrat dhe akademinë e klubit, por që tashmë mund t’i hyjë në punë Barcelonës. Drejtuesit po mendojnë hartimin e një miniprojekti, që konsiston me shtimin e kapacitetit të këtij stadiumi me tribuna provizore.

Kapaciteti aktual i mini-stadiumit është 6 mijë tifozë dhe klubi kërkon ta rrisë ndjeshëm. Në fakt në dispozicion është edhe një tjetër stadium, që është ai në kodrën Montjuic. Impianti “Lluís Companys” ka një kapacitet prej 60 mijë spektatorësh, çka i përshtatet Barcelonës.

Por ka probleme të tjera. Ai ka nevojë për rregullime brenda tij, si dhe gjatë gjithë verës aty do zhvillohen koncerte, që dëmtojnë fushën dhe nuk krijojnë kushtet e duhura në nisje të kampionatit. Gjithashtu në atë impiant duhet të vendoset bar i ri, që kërkon para dhe kohë.

Kategoritë
Sport