BE do të sanksionojë presidentin dhe kryediplomatin rus

Ministrat e Jashtëm të BE-së u mblodhën në Bruksel për të miratuar zyrtarisht paketën e fundit të sanksioneve të bllokut kundër Rusisë

Kryediplomati i Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, tha se presidenti rus Vladimir Putin dhe ministri i Jashtëm Sergej Lavrov do të jenë në listën e re të sanksioneve të Bashkimit Evropian (BE) “nëse nuk ka surpriza” në takimin e sotëm, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministrat e Jashtëm të BE-së u mblodhën në Bruksel për të miratuar zyrtarisht paketën e fundit të sanksioneve të bllokut kundër Rusisë, pasi udhëheqësit e BE-së arritën një marrëveshje politike herët në mëngjes.

Paketa do të përfshijë sanksione financiare që synojnë 70 për qind të sektorit bankar rus dhe kompanive kryesore shtetërore, si dhe kufizime në tregtinë lidhur me sektorin e energjisë, aviacionin dhe teknologjinë më të avancuar.

BE pritet gjithashtu të ndryshojë rregullat e vizave, duke kufizuar hyrjen e afaristëve rusë të lidhur me qeverinë.

Duke folur me gazetarët para fillimit të takit, Borrell pranoi se ai “personalisht” është “shumë në favor” të sanksionimit të Putinit dhe Lavrovit, por vendimi përfundimtar duhet ta marrin ministrat e Jashtëm të BE-së.

Ai tha se liderët e BE-së nuk arritën konsensus për këtë çështje mbrëmë, duke e ngarkuar atë të paraqiste një kompromis.

“Le të jemi të sinqertë, Donbasi ishte vetëm një pretekst për Rusinë për të nisur këtë sulm brutal ndaj Ukrainës”, tha kryediplomati francez Jean-Yves Le Drian para takimit.

Ai tha më tej se në realitet “lufta e Putinit është kundër demokracisë, sovranitetit të shteteve”.

Le Drian shtoi se sanksionet e BE-së duhet të synojnë kryesisht oligarkët, duke shtuar se edhe Bjellorusia duhet të përfshihet në pakon e sanksioneve.

BE-ja miratoi të mërkurën pakon e parë të sanksioneve kundër Rusisë për shkeljen e integritetit territorial të Ukrainës.

Masat shënjestrojnë mes tjeras edheministrin e Mbrojtjes, Sergei Shoigu, dy zv/kryeministra, zyrtarë të lartë ushtarakë dhe 351 anëtarë të Dumës, dhoma e ulët e parlamentit rus.

Putin njoftoi një ndërhyrje ushtarake në Ukrainë të enjten vetëm disa ditë pasi njohu pavarësinë e dy enklavave të kontrolluara nga separatistët në Ukrainën lindore. Njohja e Donetskut dhe Luhanskut shkaktoi dënimin ndërkombëtar dhe paralajmërime për sanksione më të ashpra ndaj Moskës.

Kategoritë
BotaLajme