BE-ja aprovon përdorimin e vaksinës së “AstraZenecas”

Rregullatori evropian i ilaçeve ka aprovuar përdorimin e vaksinës së “AstraZenecas” te personat mbi moshën 18-vjeçare.

Vaksina e kompanisë, e zhvilluar bashkë me Universitetin e Oksfordit, është e treta që miratohet nga blloku evropian. Secili shtet ka të drejtën individuale për të vendosur se kush duhet ta marrë vaksinën.

Në fillim të javës, komisioni gjerman i vaksinave ka njoftuar se nuk do të mund ta rekomandonte përdorimin e dozave te personat mbi moshën 65-vjeçare, me arsyetimin e mungesës së të dhënave për efektin e tyre te kjo grupmoshë.

Bashkimi Evropian dhe “AstraZeneca” janë përfshirë në përplasje të thella lidhur me distribuimin e vaksinave të kompanisë në bllok.

Të premten, BE-ja ka publikuar një version të redaktuar të kontratës me “AstraZenecan”, mirëpo në të, hollësitë rreth çmimit të vaksinës i janë nënshtruar dukshëm redaktimit.

Del se Britania e Madhe ka paguar më shumë për vaksinën sesa blloku evropian.

Në fillim të javës, BE-ja ka kritikuar kompaninë farmaceutike që pranoi se nuk do të ishte në gjendje të shpërndante 80 milionë doza, por vetëm 31 milionë sosh. Marrëveshja e blerjes së vaksinës ishte nënshkruar para se ajo të aprovohej për përdorim.

Ndërkaq, “Johnson and Johnson” të premten ka bërë të ditur se një dozë e vaksinës së saj ka efekt – mirëpo jo aq të fuqishëm sa vaksinat e tjera që po ofrohen me dy doza. Vaksina e re ka treguar efekt deri në 66 për qind në SHBA dhe shtatë shtete tjera.

Kategoritë
BotaLajme