BE-ja do të ofrojë 12 milionë euro ndihmë shtesë për refugjatët Rohingya

Komisioni Evropian tha se mbi 884 mijë refugjatë muslimanë të Arakanit që ndodhen në Bangladesh jetojnë në kampe dhe kanë nevojë për ndihma humanitare

Bashkimi Evropian (BE) do të ofrojë 12 milionë euro ndihmë humanitare për muslimanët e Arakanit (Rohingya) në Bangladesh dhe në Mianmar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Komisioni i BE-së njoftoi se për refugjatët muslimanë të Arakanit që janë prekur nga konfliktet dhe që janë zhvendosur nga vendet e tyre do të sigurohet ndihmë humanitare shtesë.

Në deklaratë thuhet se mbi 884 mijë refugjatë muslimanë të Arakanit që ndodhen në Bangladesh jetojnë në kampe dhe kanë nevojë për ndihma humanitare.

BE-ja do të sigurojë një ndihmë shtesë prej 12 milionë eurosh për refugjatët Rohingya në Bangladesh dhe Mianmar, njoftohet në deklaratën në të cilën rikujtohet se BE-ja që nga viti 2017 ka ndarë gjithsej 283 milionë euro ndihmë për Bangladeshin, Mianmarin dhe rajonin.

Në vitin 2012 në Arakan mes budistëve dhe muslimanëve shpërthyen konflikte dhe si pasojë u masakruan mijëra njerëz, shumica muslimanë, si dhe u dogjën qindra shtëpi dhe biznese.

Ushtria e Mianmarit dhe budistët nacionalistë, duke treguar si arsyetim sulmet e njëkohshme të kryera më 25 gusht 2017 ndaj postave policore, filluan veprimet e tyre të dhunshme masive. Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), ka arritur në 900 mijë numri i të strehuarve në Bangladesh pasi u larguan nga presioni dhe persekutimi në Arakan.

Organizatat ndërkombëtare dhe ato të OKB-së për të drejtat e njeriut, dhunën kundër muslimanëve të Arakanit e konsiderojnë si “spastrim etnik” ose “gjenocid”.

Kategoritë
BotaLajme