BE zgjeron listën e sanksioneve ndaj Bjellorusisë

Lista e sanksione u zgjerua në përgjigje të “përshkallëzimit të shkeljeve serioze të të drejtave të njeriut në Bjellorusi dhe shtypjes së dhunshme të shoqërisë civile, opozitës demokratike dhe gazetarëve”

Kryediplomatët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) kanë zgjeruar listën e sanksioneve të bllokut evropian kundër Bjellorusisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Këshilli i BE-së, që përfaqëson qeveritë e bllokut evropian, njoftoi se vendimi i ri urdhëroi masa kufizuese të ngrirjes së aseteve dhe ndalimit të udhëtimit për 78 persona të tjerë dhe tetë njësi, duke e çuar numrin e përgjithshëm të individëve të shënjestruar të Bjellorusisë në 166 dhe të njësive të sanksionuara në 15.

Në njoftimin për media thuhet se lista e sanksione u zgjerua në përgjigje të “përshkallëzimit të shkeljeve serioze të të drejtave të njeriut në Bjellorusi dhe shtypjes së dhunshme të shoqërisë civile, opozitës demokratike dhe gazetarëve”.

Dokumenti po ashtu shpjegoi se blloku evropian dëshiron të “dërgojë një sinjal tjetër të fuqishëm për mbështetësit e regjimit se mbështetja e tyre e vazhdueshme për (presidentin bjellorus) Alexander Lukashenko vjen me një kosto të konsiderueshme”.

“Qëllimi i këtyre sanksioneve është të bëjë presion mbi udhëheqjen politike bjelloruse për të filluar një dialog kombëtar të mirëfilltë dhe gjithëpërfshirës me shoqërinë më të gjerë dhe për të shmangur shtypjen e mëtejshme”, thuhet në njoftim.

Shtatë individë dhe një njësi u shtuan në listën e sanksioneve për shkak të uljes së detyrueshme të fluturimit Ryanair në Minsk dhe ndalimit të gazetarit bjellorus, Raman Pratasevich he partneres së tij.

BE-ja nuk i njohu rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit të kaluar dhe dënoi dhunën ndaj protestuesve.

Kategoritë
BotaLajme