BeH, varrosen 12 viktima të Prijedorit në Qendrën Memoriale Kamiçani në Kozarac

“Gëzimi ynë i Bajramit është i përzier me pikëllim. Plot 29 vite, nga dita në ditë kërkojmë të dashurit tanë në pyje dhe përrenj, duke i nxjerrë nga gropat dhe varret masive”, tha Reisi, Kavazoviç.

Sot, pas faljes së namazit të xhenazes u bë varrimi i 25-të kolektiv për 12 viktimat e luftës në Bosnjë e Hercegovinë në Qendrën Memoriale Kamiçani në Kozarac afër Prijedorit, eshtrat e të cilëve u zhvarrosën nga disa varre masive, raporton Anadolu Agency (AA).

Para varrimit, familjet e viktimave të Prijedorit i dhanë lamtumirën e fundit të dashurve ndërsa në varrimin kolektiv morën pjesë një numër i madh i qytetarëve dhe zyrtarëve.

Instituti për Personat e Zhdukur në BeH deklaroi se viktimat u vranë në vitin 1992 ndërsa eshtrat e tyre u zhvarrosën në të kaluarën nga varret masive në Shkëmbinjtë e Koriçanit, Tomashiç, Hrastova Glavica si dhe në vendet Kozarac – Garevci dhe Jablanica – Prosara.

Viktima më e re e varrosur sot është Fikret Maroshliç, i cili kishte 21-vjeç kur u vra dhe eshtrat e tij u zhvarrosën nga varri masiv në Shkëmbinjtë e Koriçanit. Së bashku me Fikretin, u varros edhe babai i tij Himzo Maroshliç, i cili ishte 47-vjeç kur u vra. Eshtrat e tij u zhvarrosën gjithashtu nga varri masiv në Shkëmbinjtë e Koriçanit. Ai është viktima më e vjetër e varrosur këtë vit.

Përveç tyre, u varrosën Emin (Hasan) Çoraliç, i lindur në 1950; Vasif (Mahmut) Mujkanoviç 1960; Rifet (Abid) Kahrimanoviç 1959; Sakib (Mustafa) Deniç, 1958; Hasib (Hasan) Behliç 1950, Mirsa (Shefik) Brdar, 1963, Ismet (Husein) Hirkiç 1950, Idriz (Eshef) Duraçak 1954, Nexhad (Adem) Fazliç 1959 dhe Samir (Rizvo) Merxhiç 1970.

Namazin e xhenazes e fali Reis-ul-Ulemaja i Bashkësisë Islame në Bosnjë e Hercegovinë, Hussein ef. Kavazoviç, i cili gjatë adresimit tha se në Kozarac për të 29-tën herë pas vitit të rëndë 1992 përjetojnë një dhimbje planetare.

“Gëzimi ynë i Bajramit është i përzier me pikëllim. Plot 29 vite, nga dita në ditë kërkojmë të dashurit tanë në pyje dhe përrenj, duke i nxjerrë nga gropat dhe varret masive me shpresën se do të gjejmë trupat e tyre ose të paktën një pjesë të trupave të tyre dhe t’i varrosim ashtu si i ngjan njeriut. Kanë kaluar plot 29 vjet dhe ne ende falim namazin e xhenazes dhe vetëm Zoti i dashur e di sa kohë do të shkojë para se t’i varrosim të gjithë. Deri në vëllezërit tanë të fundit, burrat, motra, nënat, ne t’i lëshojmë në tokën e Bosnjës. Mijëra të tjerë presin t’u falet namazi i xhenazes dhe të kenë varrin dhe nishanin e tyre”, tha Kavazoviç.

Ai tha se kriminelët “jo vetëm që vranë fëmijët tanë, prindërit dhe familjet, por gjatë gjithë kohës ata po përpiqen të fshehin trupat e viktimave, në mënyrë që të mbulojnë gjurmët e tyre, para nesh, por edhe para botës”.

“Mallkuar qoftë në të dy botërat ai që njeh vrasësin dhe nuk dëshiron të dëshmojë kundër tij në emër të të vrarëve”, tha Kavazoviç.

Kategoritë
LajmeRajoni