Belgjikë, 6 persona humbin jetën pasi një automjet përplaset me turmën e karnavaleve

“Lajme të tmerrshme nga Strepy-Bracquegnies. Një komunitet që u mblodh për të festuar u godit në zemër. Mendimet e mia janë me viktimat dhe të dashurit e tyre”, tha kryeministri i Belgjikës, De Croo.

Të paktën 6 persona kanë humbur jetën pasi një automjet u përplas me turmën e cila ishte mbledhur në orët e para të mëngjesit për të zhvilluar festën e karnavaleve në rajonin La Louviere të Belgjikës, ndërkohë që është theksuar se nuk është gjetur ndonjë provë që ngjarja është sulm terrorist.

Sipas lajmeve në mediat kombëtare, një automjet është futur me shpejtësi në mesin e personave të cilët ishin mbledhur në rrugë rreth orës 05:00 sipas kohës lokale në rajonin La Louviere për të zhvilluar festimet e karnavaleve.

Në mesin e personave që u përplasën nga automjeti, kanë humbur jetën të paktën 6 persona, përfshirë një fëmijë, ndërsa janë plagosur rëndë 10 persona dhe 24 të tjerë lehtë. Në disa lajme në shtypin lokal thuhet se numri i të plagosurve rëndë është mbi 20 dhe se nga ngjarja janë prekur 70 persona.

Kryetari i Bashkisë së La Louviere, Jacques Gobert tha se automjeti ka vazhduar rrugën pasi ka përplasur njerëzit dhe se kanë mundur ta ndalojnë automjetin pas një kohe.

Dëshmitarët theksuan se në një bulevard të gjatë u mblodhën rreth 150 persona dhe se automjeti me shpejtësi ka hyrë në mesin e turmës pa frenuar.

Një nga dëshmitarët e ngjarjes tha: “Dëgjuam një zhurmë të lartë që vinte prapa nesh. Automjeti e shtonte shpejtësinë. E kuptuam se diçka do të ndodhte dhe automjet u fut në mesin e turmës”.

Drejtuesi i automjetit është arrestuar nga policia. Ndërsa dy të rinj që ndodheshin në automjet janë larguar dhe se po kërkohen nga policia. Ndërkohë është theksuar në fazën aktuale se nuk ka ndonjë provë që ngjarja është sulm terrorist.

Kryeministri i Belgjikës, Alexander de Croo në një postim nga llogaria e tij në Twitter tha: “Lajme të tmerrshme nga Strepy-Bracquegnies. Një komunitet që u mblodh për të festuar u godit në zemër. Mendimet e mia janë me viktimat dhe të dashurit e tyre”.

Shtypi lokal ka njoftuar se De Croo dhe mbreti Philippe do të shkojnë në rajon.

Kategoritë
BotaLajme