Belgjikë, rastet e reja me COVID-19 shënojnë rritje gjatë sezonit të festave

Sipas të dhënave të fundit nga Instituti i Shëndetit Publik ‘Sciensano’, një mesatare prej 10.126 rastesh të reja u zbuluan çdo ditë midis 24 dhe 30 dhjetorit, respektivisht 52 për qind më shumë krahasuar me mesataren e javës së kaluar

Rastet e reja me koronavirusin e ri (COVID-19) janë rritur për 52 për qind gjatë sezonit të festave në Belgjikë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas të dhënave të fundit nga Instituti i Shëndetit Publik ‘Sciensano’, një mesatare prej 10.126 rastesh të reja u zbuluan çdo ditë midis 24 dhe 30 dhjetorit, respektivisht 52 për qind më shumë krahasuar me mesataren e javës së kaluar.

Të enjten, autoritetet shëndetësore belge regjistruan kulmin me 15.999 raste infeksionesh ditore.

Gjatë kësaj periudhe, 72.364 persona rezultuan pozitiv nga gjithsej 456.826 teste të kryera, shifër e cila tregon një normë të rasteve pozitive prej 15,84 për qind.

Numrat sugjeruan se situata epidemiologjike është kthyer nga tendenca e ngadalësimit të përjetuar para Krishtlindjeve dhe se vendi së shpejti mund të kalojë në valën e pestë të pandemisë.

Zëdhënësi i qeverisë për çështjet e koronavirusit, Yves Van Laethem, konfirmoi se më shumë se 70 për qind të infeksioneve të reja janë të lidhura me llojin e ri Omicron.

Këtë javë, pritet që qeveria të paraqesë kërkesa të reja të karantinës për udhëtarët që kthehen në Belgjikë, me qëllim për të parandaluar përhapjen e llojit të ri dhe më ngjitës të koronavirusit.

Kategoritë
BotaLajme