Bella Hadid thotë se Instagrami ia bllokon postimet për Palestinën

“Kur postoj për Palestinën, më bëhet menjëherë ‘shadow ban’ dhe pothuajse një milion më pak nga ju i shihni historitë dhe postimet e mia”, tha modelja e famshme.

Supermodelja palestinezo-amerikane Bella Hadid tha se rrjeti social Instagram po e hesht sa herë që poston ndonjë gjë për Palestinën.

“Instagrami im më ka pamundësuar të postoj në murin tim, thuajse vetëm kur bëhet fjalë për Palestinën, supozoj”, tha Hadid.

“Kur postoj për Palestinën, më bëhet menjëherë ‘shadow ban’ dhe pothuajse një milion më pak nga ju i shihni historitë dhe postimet e mia”, tha ajo për revistën e modës Harper’s Bazaar.

“Shadow ban” do të thotë që ekspozimi juaj në një platformë të caktuar të mediave sociale është kufizuar dhe vetëm ju dhe ndjekësit tuaj të drejtpërdrejtë mund t’i shihni postimet tuaja.

Tensionet janë rritur në territoret palestineze që kur forcat izraelite bastisën Xhaminë Al-Aksa të premten mes përleshjeve me besimtarët, duke plagosur qindra.

Të dielën, më shumë se 700 kolonë izraelitë hynë me forcë në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa nën mbrojtje të fortë policore për të kremtuar festën njëjavore të Pashkëve hebraike, që filloi të premten.

Xhamia Al-Aksa është vendi i tretë më i shenjtë në botë për muslimanët. Hebrenjtë e quajnë këtë zonë “Mali i Tempullit”, duke pretenduar se ishte vendi i dy tempujve hebrenj në kohët e lashta.

Izraeli pushtoi Kudsin Lindor, ku ndodhet Al-Aksa, gjatë luftës arabo-izraelite të vitit 1967. Ai aneksoi gjithë qytetin në vitin 1980, hap ky që nuk u njoh kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.

Kategoritë
BotaLajme