Berisha thotë se Prokuroria nuk ka prova për 400 kg kokainë

Pas më shumë se tri orësh përfundoi seanca ku u shqyrtua kërkesa e Prokurorisë së Kosovës për caktim të masës të paraburgimit ndaj shtatë të dyshuarve për rastin e 400 kg kokainë që u sekuestruan në Lipjan. E gjykata pritet që gjatë ditës të vendos për masën e paraburgimit, por mbrojtësi i të dyshuarit Izet Sheqiri, avokati Besnik Berisha tha se Prokuroria ka parashtruar diçka që as vetë nuk beson, dhe se po të ishte film do të shitej shumë.

Ai tha se Prokuroria e Kosovës po pretendon se kanë të bëjnë me një grup të strukturuar kriminal e që mbrojtja e ka demantuar një gjë të tillë me argumentet e ofruara.

Berisha: Prokuroria paraqet një skenar që po të ishte film do kushtonte shumë

 

“Prokuroria parashtroi një kërkesë e cila në vetvete përbënë një film, skenar i cili në realitet po të ishte do të kushtonte shumë si film që do të shitej, parashtroi se kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal që në fakt u demantua me secilin argument të parashtruar nga mbrojtja, parashtruam se asnjëri nga ata aty që janë nuk janë kriminel të strukturuara siç parashtron prokuroria por janë afaristë punëtorë njerëz që kanë qëlluar në vendin e ngjarjes. Për ta thënë më troç prokuroria parashtroi diçka që as vetë nuk i beson por e kuptojmë se është në një situatë që pse nga Brazili me dijeni në Kosovë kanë hyrë 400 kg kokainë deri në atë destinacion”, theksoi ai.

Berisha tutja tha se Prokuroria e Kosovës nuk ka asnjë provë qëi lidh të pandehurit të arrestuarit dhe të ndaluarit me sasinë e narkotikut.

Mbrojtja e të dyshuarit Izet Sheqirit thekson se autoritetet e Kosovës nuk kanë asnjë arsye për t’u lavdëruar sepse nuk kanë zbuluar asgjë.

Berisha: Prokuroria nuk ka prova

 

“Nuk ka asnjë provë të vetme që i lidh të pandehurit të arrestuarit dhe të ndaluarit me sasinë e narkotikut e cila përsërisë që nuk është gjetur nga autoritetet. Autoritetet tona nuk kanë asnjë arsye se kanë bërë ndonjë punë të zbulimit sepse është ardhur nën përcjellje….Është manipuluar nga sistem i fortifikuar i sofistikuar në porte të ndryshme me gjasë është pritur rreth 2 javë që kjo kërkesë të merret në Itali ngase janë vënë në dijeni trafikantët që është e gjurmuar kanë lënë që të vijnë me kaçikët në Kosovë…Asnjë shkronjë e vetme të gjithë garantojnë poqe së e gjeni që ka pasur kokainë aty ne shkojmë me 50 vite burgim pa asnjë ankimim”, tha avokati i Izet Sheqirit.

Duke u shprehur i bindur në pafajësinë e klientit të tij, avokati Berisha tha se të vetmin komunikimi që ka siguruar është ai i klientin ti tij, Izet Sheqirit me kompaninë braziliane të mishit.

Berisha: Komunikimi i klientit tim me kompaninë e mishit është prova e vetme e Prokurorisë

 

“Prokuroria të vetmin komunikim që ka është me klientin tim është kontaktin me SEAR që është përfaqësues i autorizuar që blen mish dhe shet në emër të tyre, shet produkte të tillë prokuroria nuk ka asnjë provë se prokuroria mund të ketë pretendime, ëndrra, fiksim edhe trillime por nuk ka asnjë provë të vetme që e lidh qoftë edhe me një qytetar tjetër përveç zyrtarin që bëhet që 8 vite”, theksoi ai.

Kërkesa për caktim të paraburgimit është bërë nga Prokuroria e Kosovës për të dyshuarit Izet Sheqirin, Kadri Sheqirin, Kadri Ibrahimin, Fehmi Bytyqin, Faton Vrajollin, Enver Belegun dhe Bajram Maliqin.

Të gjithë po dyshohen se kanë kryer veprën penale, pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal lidhur me veprën penale, blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve. Ndërsa, Izet Sheqiri dhe Kadri Sheqiri dyshohen edhe për armëmbajtje pa leje.

Të hënën në Lipjan janë sekuestruar 400 kilogramë kokainë.

Kategoritë
LajmeVendi