Berlin: Nuk jemi gati të vendosim një embargo energjetike ndaj Rusisë

Ministri gjerman i Ekonomisë dhe Mbrojtjes së Klimës, Robert Habeck, deklaroi se vendi i tij nuk është gati të vendosë një embargo energjetike ndaj Rusisë.

Në fjalimin e tij në Bundestag, Habeck deklaroi se qeveria gjermane po punon shumë për të diversifikuar burimet e energjisë në mënyrë që të eliminojë varësinë e saj nga Rusia në energji.

Duke deklaruar se ata po përpiqen të stabilizojnë politikën energjetike të Gjermanisë, Habeck tha: “Nuk do të jemi më kurrë kaq të varur nga një furnizues i vetëm i energjisë (Rusia) sa jemi tani, ne do të diversifikojmë burimet e energjisë.”

Pasi u shpreh vendi i tij nuk është në gjendje të vendosë një embargo urgjente ndaj qymyrit, naftës ose gazit natyror nga Rusia, ministri gjerman i ekonomisë bëri këtë koment: “Ne nuk jemi gati të vendosim një embargo energjetike ndaj Rusisë. Embargoja do të rrezikojë sigurinë energjetike në Gjermani.”

Vlen të përmendet se Gjermania blen nga Rusia 55 për qind të gazit të saj natyror, 35 për qind të naftës së papërpunuar dhe 45 për qind të qymyrit që ka nevojë.

Për të reduktuar varësinë nga gazi natyror rus Gjermania pret që të ndërtohen 2 terminale të gazit natyror të lëngshëm (LNG), që do të funksionojnë brenda 2 viteve. Terminalet do të ndërtohen në qytetet Brunsbüttel dhe Wilhelmshaven.

Duke qenë se Gjermania aktualisht nuk ka një terminal të tillë ajo nuk mund të transferojë direkt LNG nga Katari.

Kategoritë
BotaLajme