Betimi i Joe Biden-it, zbarkon Garda Kombëtare, Washingtoni në gjendje lufte

Washington-i e pret 20 janarin, ditën e betimit të presidentit të zgjedhur amerikan Joe Biden, me një qetësi që i ngjason asaj përpara stuhisë.

Dyqane, banka e hotele kanë nisur të mbulojnë dritaret me panele druri. Policia ka mbyllur disa rrugë, thonë mediat e huaja, ku kalojnë vetëm kamionë të tipit ushtarak. Ndërsa arteriet kryesore të qytetit janë mbushur me patrulla policie. Kryetarja e bashkisë, Muriel Bowser, ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për 15 ditë. Autoritetet dhe policia janë në gatishmëri sidomos pas paralajmërimeve të FBI-së se në 20 janar, mund të ketë sulme të armatosur mbi Capitol Hill dhe në selitë parlamentare të 50 shteteve amerikane, raporton TCh.

Ushtarët e Gardës Kombëtare po qëndrojnë në ndërtesën e Kongresit ditë e natë, sic e dëshmojnë qartë edhe fotot e tyre duke fjetur brenda godinës. Pentagoni e guvernatorët e Maryland-it dhe Virginia-s kanë dërguar rreth 15 mijë ushtarë në kryeqytet, një kontigjent ky i ngjashëm me atë të një zone lufte. Agjencitë e zbatimit të ligjit që kanë detyrën për të garantuar sigurinë gjatë ceremonisë së inaugurimit të Biden-it janë të vendosura të mos lejojnë përsëritje të kaosit dhe dhunës që u regjistruan një javë më parë në Capitol.

Për disa javë me radhë autoritetet kanë vëzhguar aktivitetin në platforma dixhitale të ektremistëve të djathtë, të cilët bënin thirrje për sulm në Capitol më 6 janar. Tani ata e kanë zhvendosur vëmendjen tek individët që kanë plane të organizojnë protesta të dhunshme.

Kategoritë
BotaLajme