Biden: Herët apo vonë SHBA do të regjistrojë raste të llojit ‘Omicron’

Biden tha se shtetet amerikane “do të duhet të përballen me këtë kërcënim të ri” dhe u kërkoi amerikanëve të mbrohen kundër tij përmes vaksinimit

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka deklaruar se SHBA “herët apo vonë” do të regjistrojë raste të llojit ‘Omicron’ të koronavirusit COVID-19, por theksoi se kjo nuk është arsye për panik, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një konferencë për media mbi llojin e ri ‘Omicron’ pas takimit me zyrtarë të lartë shëndetësor në Shtëpinë e Bardhë, Biden tha se shtetet amerikane “do të duhet të përballen me këtë kërcënim të ri” dhe u kërkoi amerikanëve të mbrohen kundër tij përmes vaksinimit.

“Ky lloj është shkak për shqetësim, por jo edhe shkak për panik”, tha Biden, duke shtuar se mbrojtja më e mirë kundër tij është vaksinimi i plotë ose vaksina përforcuese për ato persona që tashmë janë vaksinuar plotësisht.

Lidhur me kufizimet e reja të SHBA-së për udhëtimet nga Afrika, Biden tha se ata do t’u japin zyrtarëve më shumë kohë për të ndërmarrë veprime kundër llojit të ri.

Biden po ashtu vlerësoi autoritetet e Afrikës së Jugut për identifikimin e shpejtë të llojit ‘Omicron’.

“Kjo lloj transparence duhet inkurajuar dhe duartrokitur”, shtoi Biden.

Zyrtarët e Afrikës së Jugut dhe të tjerë kanë theksuar se ndalimet e udhëtimit e ndëshkojnë në mënyrë efektive vendin për gjetjen e llojit të ri të koronavirusit.

Javën e kaluar, shkencëtarët e Afrikës së Jugut njoftuan se kanë zbuluar llojin ‘Omicron’, i cili ka disa mutacione që mund të mbartin rrezikun e ri-infeksionit. Që atëherë, rastet e të njëjtit lloj janë zbuluar në disa vende perëndimore.

Të premten, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e shpalli këtë lloj të koronavirusit “shqetësues”, duke e quajtur atë ‘Omicron’.

Që nga muaji dhjetor i vitit 2019, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins me qendër në SHBA, pandemia COVID-19 ka marrë pothuajse 5.2 milionë jetë njerëzish nga mbi 261.6 milionë raste të raportuara në mbarë botën.

Kategoritë
BotaLajme