Bisedimet për armëpushimin në Stamboll, Erdogan: Ukraina dakord me 4 nga 6 kërkesat që kanë rusët

Palët ndërluftuese në Ukrainë do të ulen në tryezën e negociatave në Stamboll këtë javë. Sipas presidentit turk Erdogan palët janë dakord për katër nga gjashtë pikat e marrëveshjes. Ukrainasit janë kundër cënimit të territorit të tyre me njohjen e pavarësisë së Krimesë, Donjeckut dhe Luhanskut nga Rusia.

Këtë fillimjave lufta në Ukrainë ka hyrë në ditën e saj të tridhjetetretë.

Palët janë angazhuar në bisedime për një marrëveshje armëpushimi, teksa presidenti ukrainas ka njoftuar se është i gatshëm të heq dorë nga anëtarësimi në NATO për të mbajtur kursin e neutralitetit.

Në krahun tjetër, rusët janë të vendosur për të çuar përpara shpalljen e rajoneve të pavarura të Donjeckut dhe Luhanskut, që sipas Zelenskyt është një akt i papranueshëm sepse cënon integritetin territorial të Ukrainës.

Palët pritet që të takohen në Stamboll për bisedime, ndërsa ka qenë vetë presidenti Erdogan që ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun rus Putin mbi këtë temë.

Më herët, sipas presidentit Erdogan, palët janë afër një marrëveshjeje.

Ukraina është e gatshme të pranojë 4 nga 6 kërkesat e Rusisë – në veçanti, të heqë dorë nga anëtarësimi në NATO dhe të njohë rusishten si gjuhën e dytë zyrtare, tha Erdogani.

Ukraina refuzon të shqyrtojë çështjen e pestë dhe të gjashtë në tavolinën e diskutimeve që ka të bëjë me njohjen e pushtimit rus të Krimesë dhe të rajoneve të Donetskut dhe Luhanskut.

Ndërkohë, më herët Zelensky ka hedhur edhe tezën e një referendumi për marrëveshjen për armëpushim me Rusinë.

Kategoritë
BotaLajme