Bislimi jep detaje nga takimi me Lajçak e Palmer

Gjatë vizitës dy ditore të Përfaqësuesit Special të BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák dhe Zëvendësndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, njëherit i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, zëvendëskryeministri parë i Republikës së Kosovës, për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, zhvilloi me ta disa takime.

Sipas komunikatës së qeverisë, temat që u rrokën në këto takime kishin kryesisht fokus mbarëvajtjen e procesit të ri dialogut dhe hapat e ardhshëm.

Në njërin nga takimet ishin të pranishëm edhe ekspertët e angazhuar në mbështetje të Qeverisë në procesin e dialogut, përfshirë Veton Surroin, Blerim Shalën e Bernard Nikaj.

Në takime u diskutua edhe për përgatitjet në lidhje me vizitën në Bruksel gjatë muajit qershor.

“Zëvendëskryeministri u shpreh mirënjohës për angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të mbështetur procesin e dialogut, që siç tha ai, është edhe një sinjal për praninë e fuqishme dhe të vazhdueshme të SHBA-ve, si partnerë në zhvillimin dhe krijimin e një të ardhme premtuese në Kosovë”, thuhet në komunikatë

Kategoritë
LajmeVendi