Blerjet “online” gjatë pandemisë: Dyfishohet numri i postave private në Kosovë

Posta e Kosovës vazhdon të këtë pozitë dominuese, por çdo vit po pëson rënie për shkak se në treg po futën operatorë privatë që kryejnë shërbime postare.

Dërgesat “online” me postë janë rritur në mënyrë enormë në vitin kaluar dhe në këtë fillim vit. Duke parë që ka treg të mjaftueshëm, u hapën postat private edhe njëherë më shumë se sa ishin para pandemisë, shumë prej tyre vetëm me operim nga një zyre. Fokusi i tyre është në kryeqytet.

‘Posta e Kosovës’ SHA, e cila gjatë vitit 2018, ka dominuar tregun e përgjithshëm të shërbimeve postare në Kosovë më 80.28 për qind, në vitin 2019, ka pasur një rënie të dominimit në treg në vlerën prej 77.15 për qind. Në vitin e kaluar nuk dihet se si është ndarë tregu, por disa faktorë tregojnë se përsëri ka pasur rënie të Postës së Kosovës.

Kjo pasi në Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) kanë thënë se ka një rritje të numrit të operatorëve privat postar gjatë vitit 2020, të cilët kanë perfomuar jashtëzakonisht mirë në ofrimin e shërbimeve postare vendore, dhe si rrjedhojë e rritjes së kërkesave të konsumatorëve dhe përdoruesve për blerje të produkteve përmes internetit, pra rritja tregut të shitjes së produkteve të ndryshme “online”.

“Në fund të vitit 2019, në ‘Regjistrin e operatorëve postar’ kanë qenë të regjistruar vetëm 17 operator postar, ndërsa në fund të vitit 2020, kanë qenë të regjistruar rreth 40 operator postar, (përjashto nga ky numër operatorët e çregjistruar). Aktualisht në regjistrin e operatorëve postar janë të regjistruar gjithsejtë 43 operator postar, të cilët janë të Autorizuar për ofrimin e shërbimeve postare. Si pasojë e pandemisë COVID-19, ka pasur një rritje ekstreme të tregtisë elektronike, pra shitje të produkteve të ndryshme dhe mallrave përmes internetit, ‘online’, dhe me automatizëm ka ndikuar në rritjen ekstreme edhe të kërkesave nga palët e ndryshme për të ofruar shërbime postare, me ç’rast ka rezultuar me rritjen e numrit të operatorëve postar. Edhe përkundër numrit të madhe të operatorëve postar, vetëm gjatë vitit 2021, janë Autorizuar tre (3) operator postar”, tha për lajmi.net, Nazim Rahimi, udhëheqës i Sektorit të Shërbimit Postar në ARKEP.

Rahimi thotë se për vitin 2020, nuk kanë arritur t’i përpunojmë të gjitha të dhënat nga operatorët postar, pra përfshirë edhe të dhënat sa i përket ndarjes së tregut të shërbimeve postare.

“Në momentin që do të përpunohen ato të dhëna, do të publikohen dhe zyrtarizohen së bashku me raportin vjetor të punës së ARKEP-it, dhe sigurisht ato të dhëna do jenë të qasshme për publikun”, shtoi ai.

ARKEP vitin e kaluar ka shqiptuar edhe gjoba, sikundër dhe ua ka hequr autorizimin disa operatorëve që nuk i kanë përmbushur dispozitat ligjore, sikundër ka pasur edhe operatorë që janë larguar vetë nga tregu.

“Gjatë viti 2020, nga ‘Regjistri i operatorëve postar’ janë hequr ose çregjistruar gjashtë (6) operator postar, disa prej të cilëve janë ndëshkuar për mosrespektim të dispozitave ligjore”, tha Rahimi.

Udhëheqës i Sektorit të Shërbimit Postar në ARKEP, thotë tutje se tregu i shërbimeve postare në Kosovë është i liberalizuar dhe operatorët postar hyjnë në treg përmes procedurës së njoftimit.

Të dhënat dhe informacionet që duhet të dërgojnë pranë Autoritetit janë të parapara me nenin 20, të Ligjit Nr. 06/L-038, për shërbimet postare dhe Rregulloren Nr.44, për dhënien e Autorizimeve të përgjithshme.

Në rast se operatori ka dërguar të mangët njoftimin dhe nuk ka plotësuar të dhënat e kërkuara sipas nenit 20, dhe Rregullores Nr. 44, atëherë Autoriteti brenda pesëmbëdhjetë ditëve duhet t’i kërkoje palës që t’i plotësoj ato të dhëna, në të kundërtën nuk do të regjistrohet në regjistrin e ofruesve të shërbimeve postare. Në këtë kuptim, Rahimi tha se në disa raste u kanë dërguar vërejtje palëve aplikuese, me ç’rast brenda afateve ligjore ata kanë përmbushur të gjitha kërkesat.

Sipas të dhënave zyrtare të raportuara nga operatorët postar, ARKEP ka arritur të regjistroi të hyrat në sektorin e shërbimit postar për vitin 2019, ku në total është evidentuar një qarkullim dhe bilanc i të hyrave të përgjithshme vjetore në vlerën prej; 7,370,711.49 euro. Shifra për vitin e kaluar duhet të jetë shumë më e lartë.

Tregu i shërbimeve postare bazuar në të hyrat në sektorin postar që nga viti 2011 deri 2019, tregon një rritje të vazhdueshme, me çka konfirmohet se ka një zhvillim dhe tendencë të rritjes. Kjo rritje është ende larg vlerave të të hyrave postare që kanë vendet e rajonit dhe ato të Bashkimit Evropian, por megjithatë ka një rritje graduale.

Kategoritë
LajmeTë ndryshme