Bordi i KRU Gjakova shkarkon kryeshefin, Ismet Ahmeti: Ky vend nuk i don njerëzit e suksesshëm

Kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes publike KRU “Gjakova”, Ismet Ahmeti është shkarkuar nga detyra gjatë ditës së sotme.

Shkarkimin nga pozita e kryeshefit të Ujësjellësit KRU “Gjakova”, për Gazetën Online “Reporteri.net” e ka konfirmuar vetë Ahmeti, i cili ka thënë se ky vendim është i nxitur nga politika.

Ai është shprehur i habitur me vendimin e bordit për ta shkarkuar nga detyra, derisa ka thënë se KRU “Gjakova” është kompania me performancën më të mirë në rajon.

“Po sot jam shkarkuar. Arsyeja është që kanë pasë qef. Unë jam drejtor i përhershëm që 10 vite. Kompania  KRU “Gjakova” është kompania ma e mirë  në regjion, me performancën më të mirë, kjo është arsyeja sepse vendi jonë më duket se nuk i don njerëzit e suksesshëm”, ka thënë Ahmeti për Reporteri.net.

Kujtojmë se muaj më parë, Qeveria e Kosovës ka emëruar bordin e përkohshëm të drejtorëve të ndërmarrjes publike Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Gjakova”, pasi bordi i mëparshëm ishte shkarkuar gjatë Qeverisë “Kurti 1”.

Kategoritë
LajmeVendi