Borrell bisedon me kryediplomatin iranian për negociatat bërthamore

Në bisedën ku u diskutua për negociatat bërthamore që vazhdojnë në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë, Borrell theksoi se është e rëndësishme që palët të tregojnë përpjekje për të arritur marrëveshje

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Marrëdhëniet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell dhe ministri i Jashtëm i Iranit, Hossein Amir-Abdollahian, vlerësuan negociatat mbi programin bërthamor, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një deklarate nga Ministria e Jashtme e Iranit, Abdollahian zhvilloi një bisedë telefonike me Borrell, i cili kryen edhe detyrën e koordinatorit të komisionit të përbashkët të marrëveshjes bërthamore.

Në bisedën ku u diskutua për negociatat bërthamore që vazhdojnë në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë, Borrell theksoi se është e rëndësishme që palët të tregojnë përpjekje për të arritur marrëveshje.

Pasi kërkoi që në vazhdim të negociatave të gjitha palët të tregojnë fleksibilitet, Borrell, tha se janë të gatshëm të ofrojnë çdo mbështetje për zgjidhjen e problemeve.

Edhe Abdollahian duke e cilësuar procesin e negociatave përgjithësisht “të mirë, por të ngadaltë” tha se “Pala e Iranit merr pjesë në mënyrë aktive në tryezën e negociatave me qëllim të mirë dhe me kompetencat e nevojshme”.

Kryediplomati iranian tha se janë të përkushtuar për bashkëpunim teknik me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike.

“Ekipi ynë negociator ka në çdo fazë programe praktike, konkrete dhe të hapura. Një marrëveshje e mirë është e mundur, por është e nevojshme që disa palë të ndryshojnë gjuhën e tyre kërcënuese në gjuhën e respektit reciprok”, theksoi Abdollahian.

Kategoritë
BotaLajme