Borrell i qartë me Kurtin: Përparim urgjent në dialogun Kosovë-Serbi

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell, ka diskutuar sot me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në margjinat e Forumit të Paqes në Paris për bashkëpunimin rajonal, luftën kundër korrupsionit dhe nevojën urgjente për përparim në dialogun Kosovë-Serbi.

Borrell ka shkruar në Twitter se kanë biseduar edhe për procesin e integrimit evropian, takimin e ardhshëm të Këshillit të Punëve të Jashtme për Ballkanin Perëndimor dhe angazhimin e rëndësishëm dypalësh.

Situata politike në Ballkanin Perëndimor është bërë “gjithnjë e më sfiduese” muajt e fundit, me thellimin e krizës politike në Bosnje dhe Hercegovinë, tensionet në veri të Kosovës dhe ndarjet ndërpartiake në Mal të Zi “duke paralizuar sistemin politik të vendit, thuhet në një dokument i cili do të diskutohet në një takim të ministrave të Jashtëm të BE-së në Bruksel të hënën. Dokumenti, i përgatitur nga kabineti i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, vlerëson se “mosmarrëveshjet midis partnerëve të Ballkanit Perëndimor pengojnë zbatimin e integrimit rajonal”.

Dokumenti gjithashtu thekson se kur bëhet fjalë për marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, se atmosfera rreth dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është “ende sfiduese” dhe se “asnjë përparim i mëtejshëm nuk është bërë në disa nga muajt e fundit.”

“Palët duhet të inkurajohen që të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe të arrijnë rezultate pozitive, duke përfshirë marrëveshjet rajonale për tregun e përbashkët rajonal, dhe të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe retorika përçarëse, veçanërisht në lidhje me veriun e Kosovës”, thuhet në dokument.

Kategoritë
LajmeVendi