Borrell: Shpresojmë se takimi i sotëm Kurti-Vuçiq të jetë i frytshëm, i pari nuk ishte

Kryediplomati evropian, Josep Borell ka deklaruar se shpreson që takimi i sotëm me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq të jetë i frytshëm.

Borrell tha se takimi i parë nuk ishte shumë i frytshëm, por duke shpresuar që ky takim që zhvillohet sot do të jetë me më shumë rezultate, transmeton lajmi.net.

“Sot do të jem nikoqir i takimit të dytë të nivelit të lartë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ky është takimi i dytë qysh prej zgjedhjes së Albin Kurtit si kryeministër i Kosovës. Takimi i parë nuk ishte shumë i frytshëm, të shpresojmë se sot do të jetë takim me më shumë rezultate”, tha ai.

Pak më parë Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka zhvilluar takime të ndara me kryeministrin Kurti si dhe me Aleksandar Vuçiq.

Pritet që pas këtyre zhvillimeve, në mbrëmje duke filluar nga ora 18:00 të zhvillohet edhe takimi në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, me palën kosovare dhe atë serbe dialog ky i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Takimi edhe kësaj radhe do të zhvillohet në Bruksel, ndërsa mbetet të shihet se si do të rrjedh.

Kategoritë
BotaLajme