Bosnja kërkon ndihmë nga Gjermania për përshpejtimin e shpërndarjes së vaksinave nga Covax

Bosnja dhe Hercegovina kërkoi ndihmën e Gjermanisë për përshpejtimin e shpërndarjes së vaksinave të Covid-19 përmes iniciativës COVAX dhe shprehu zhgënjimin me programin e Organizatës Botërore te Shëndetësisë.

Në një konferencë të përbashkët shtypi në Berlin me homologun e saj gjerman, Heiko Mass, ministrja e Jashtme boshnjake Bisera Turkoviç tha se Bosnja ka paguar OBSH’në për skemën globale të shpërndarjes së vaksinave COVAX, por nuk ka marrë akoma asnjë furnizim me vaksina.

“Bosnja dhe Hercegovina besoi në mekanizmin COVAX dhe pagoi për vaksinat, por ende nuk kemi marrë asnjë furnizim. Qytetarët tanë janë me të drejtë të pakënaqur dhe për këtë arsye unë i kërkova ministrit Maas të na ndihmojë në bisedimet me Komisionin Evropian për të zgjidhur këtë problem”.

Ministri i Jashtëm gjerman tha se COVAX ka në plan të shpërndajë vaksina në 140 vende deri në fund të majit, përfshirë Bosnjën, e cila pritet të marrë 130,000 doza.

Heiko Maas tha se e kupton se afati kohor për furnizimet me vaksina nga programi COVAX mund të duket jo aq i shpejtë për vendet që po i presin ato me padurim dhe se ka shtete që u ofrojnë vaksina vendeve të tjera “në këmbim të sjelljeve më të mira politike”, por pa i përmendur me emër.

Bosnja e ndarë në vija etnike filloi vaksinimet e pjesshme muajin e kaluar pasi Republika Serbe e Bosnjës mori sasinë e saj të parë prej 5 000 dozash të vaksinës ruse Sputnik V.

Javën e kaluar, Serbia dhuroi gjithashtu 10,000 doza të vaksinës AstraZeneca në rajonin tjetër të Bosnjës, federatën e dominuar nga boshnjakët dhe kroatët.

Kategoritë
BotaLajme