Britani, me letra raciste u kërkohet pakicave “të kthehen në shtëpi”

“Ne kemi fituar Brexit-in”, thonë letrat, të cilat bëjnë thirrje që “të huajt të kthehen nga ku kanë ardhur”

Banorët me ngjyrë, aziatikë dhe pakicat e qytetit York, në verilindje të Anglisë, morën letra raciste në të cilat thuhej se pas Brexit-it, “të huajt” duhet të largohen, pasi “ne nuk do të jemi të lumtur derisa nuk shkoni”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Letrat postare kërcënuese dolën në dritë në Twitter, kur gazetari nga Bangladeshi dhe aktivisti i të drejtave të njeriut William Gomes postoi një fotografi ku thuhej: “Ne kemi fituar Brexit-in. Është koha që ju të ktheheni nga kudo që keni ardhur. Ne nuk kemi nevojë që të huajt të marrin shtëpi dhe punë në vendet tona. Ne nuk do të jemi të lumtur derisa këta njerëzit të largohen nga vendi ynë”.

Më vonë Gomes shkroi në Twitter se të mërkurën, Policia në North Yorkshire u informua për incidentin.

“Shpresoj që viktimat të marrin ndihmën që ata kërkojnë dhe që situata të hetohet plotësisht”, shtoi ai.

Gazetari dhe aktivisti gjithashtu etiketoi një numër politikanësh lokalë, duke falënderuar këshilltarin lokal Derek Wann, i cili i përket Liberal Demokratëve, për “reagimin e shpejtë dhe ndërhyrjet” e tij.

Ai gjithashtu etiketoi Julian Sturdy-n, duke kërkuar nga deputeti lokal Konservator për rajonin që nga viti 2010 që të ofrojë mbështetjen e duhur për zgjedhësit e tij.

Në vitin 2019, gjykata e Old Bailey-t në Londër dënoi supremacistin e bardhë David Parnham me 12 vjet burg për dërgimin e letrave “Ndëshkoni Ditën Muslimane” xhamive dhe figurave të profilit të lartë në Britani, duke inkurajuar dhunën ndaj ndjekësve të Islamit, përfshirë abuzimin verbal, heqjen e hixhabit ose shamive për gratë muslimane, sulmet fizike ose përdorimin e acidit.

Kategoritë
BotaLajme