Britania e Madhe vendos sanksione ndaj Milorad Dodik dhe Zheljka Cvijanoviç

“Sanksionet britanike nënkuptojnë se Dodik dhe Cvijanoviç nuk do të mund të udhëtojnë në Mbretërinë e Bashkuar apo të përdorin ose të kenë qasje në ndonjë pronë që mund të kenë në Mbretërinë e Bashkuar”, thuhet në njoftimin e ambasadës britanike.

Ambasada britanike në Bosnjë e Hercegovinë (BeH), ka njoftuar se qeveria e Mbretërisë së Bashkuar sanksionoi anëtarin e Presidencës së BeH-së, Milorad Dodik dhe presidenten e entitetit të BeH-ës në Republika Srpska, Zheljka Cvijanoviç, për shkak të shkeljes së legjitimitetit dhe funksionalitetit të BeH-së.

“Sanksionet britanike nënkuptojnë se Dodik dhe Cvijanoviç nuk do të mund të udhëtojnë në Mbretërinë e Bashkuar apo të përdorin ose të kenë qasje në ndonjë pronë që mund të kenë në Mbretërinë e Bashkuar”, thuhet në njoftimin e ambasadës britanike në BeH.

“Këta dy politikanë po minojnë qëllimisht paqen e fituar me vështirësi në Bosnje dhe Hercegovinë. Të inkurajuar nga (presidenti rus Vladimir) Putin, sjellja e tyre e pamatur është një kërcënim për stabilitetin dhe sigurinë në të gjithë Ballkanin Perëndimor”, tha në një deklaratë sekretarja e jashtme britanike, Liz Truss.

Deklarata shtoi se këto nuk janë sanksione kundër Republikës Srpska ose qytetarëve të saj, por këto sanksione kanë për qëllim dy persona që janë sjellë në mënyrë të papërgjegjshme në pozicionet e tyre.

Këto janë sanksionet e para të vendosura nën regjimin e sanksioneve për BeH-në.

“Të inkurajuar nga minimi i sistemit ndërkombëtar të bazuar në rregulla nga Rusia, të dy personat kanë përdorur pozicionet e tyre për të inkurajuar shkëputjen de facto të Republikës Srpska, një nga dy entitetet e Bosnje dhe Hercegovinës, në konflikt të drejtpërdrejtë me kushtetutën e vendit”, thanë nga Commonwealth-i Britanik (FCDO).

Më tej, thuhet se Dodik ndërmori aktivitete për të shkëputur Republikën Srpska nga institucionet kryesore shtetërore, duke përdorur përçarje, retorikë të rrezikshme dhe nacionaliste, duke minuar paqen e brendshme dhe rajonale dhe duke nxitur urrejtje etnike dhe mohim të gjenocidit.

Ndërkohë, në tetor të vitit 2021, Cvijanoviç përdori funksionin e saj për të miratuar ligje në Republika Srpska që kërkonin të transferonin kompetencat shtetërore në nivel entiteti. Po ashtu u theksua se ajo lavdëroi publikisht kriminelët e luftës dhe mohoi gjenocidin në Srebrenicë.

Kategoritë
BotaLajme