Britania këshillon shtetasit e saj të largohen nga Rusia nëse qëndrimi i tyre nuk është i domosdoshëm

Përditësimi i sotëm nga Zyra e Jashtme “këshillon kundër çdo udhëtimi në gjithë Rusinë për shkak të mungesës së opsioneve të disponueshme të fluturimit për t’u kthyer në Britani dhe paqëndrueshmërisë së shtuar në ekonominë ruse”

Në ditën e dhjetë të luftës Rusi-Ukrainë, Britania këshilloi qytetarët e saj që të largohen nga Rusia nëse prania e tyre nuk është e domosdoshme, transmeton Anadolu Agency (AA).

Përditësimi i sotëm nga Zyra e Jashtme “këshillon kundër çdo udhëtimi në gjithë Rusinë për shkak të mungesës së opsioneve të disponueshme të fluturimit për t’u kthyer në Britani dhe paqëndrueshmërisë së shtuar në ekonominë ruse”.

“Nëse prania juaj në Rusi nuk është e domosdoshme, ju këshillojmë fuqimisht që të konsideroni largimin përmes rrugëve të mbetura komerciale”, tha Zyra e Jashmte e Britanisë.

Përditësimi erdhi pasi sanksionet e Perëndimit kundër linjave ajrore ruse nga më shumë se 35 vende kanë kufizuar opsionet e udhëtimit drejt dhe nga Rusia.

“Nëse jeni në Rusi, duhet të jeni të vetëdijshëm se mund të mos jetë e mundur të fluturoni drejtpërdrejt në Britani, ose përmes vendeve të BE-së, dhe duhet të ndryshoni çdo plan udhëtimi në përputhje me rrethanat”, thuhet në përditësim.

“Kontrolloni informacionet më të fundit me kompaninë tuaj ajrore ose ofruesin e udhëtimit. Fluturimet lidhëse, kryesisht përmes Lindjes së Mesme dhe Turqisë, janë funksionale për udhëtime nga Rusia në Britani dhe destinacione të tjera”, theksohet më tej.

Përditësimi gjithashtu paralajmëroi qytetarët britanikë se “duhet të jenë të vetëdijshëm se çdo sasi e monedhës ruse që mbani mund të ulet në vlerë gjatë ditëve në vijim”.

“Ka gjithashtu raportime se shtetasit e huaj në Rusi kanë vështirësi në përdorimin e ATM-ve dhe shërbimeve bankare. Duhet të jeni të vetëdijshëm se mund të mos jetë e mundur për ju të aksesoni fondet tuaja përmes bankave ruse”, paralajmëroi Zyra e Jashtme.

Të hënën e kaluar, Rusia mbylli hapësirën e saj ajrore për 36 vende, duke iu kundërpërgjigjur sanksioneve nga ato vende ndaj avionëve rusë.

Ky vendim ndaloi transportuesit ajrorë nga Shqipëria, Austria, Anguilla, Belgjika, Bullgaria, Ishujt Virxhin Britanikë, Britania, Hungaria, Gjermania, Gjibraltari, Greqia, Xhersi, Irlanda, Islanda, Spanja, Italia, Kanadaja, Greqia, Administrata Qipriote Greke, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Malta, Holanda, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Finlanda, Franca, Kroacia, Republika Çeke, Suedia, Estonia dhe Danimarka, duke përfshirë Grenlandën dhe Ishujt Faroe.

Kategoritë
BotaLajme