Britania paralajmëron për përdorim të mundshëm të armëve kimike nga forcat ruse

Downing Street ka ngritur shqetësime mbi përdorimin e mundshëm të armëve kimike nga forcat ruse në Mariupol për të arritur fitore

Qeveria britanike paralajmëroi për një përdorim të mundshëm të armëve kimike nga forcat ruse në qytetin e rrethuar ukrainas Mariupol, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pas analizimit të operacioneve ruse në rajonet lindore të vendit dhe në veçanti në rajonin e Donetsk-ut, ku raportohet se gazi fosfor ishte përdorur nga forcat ruse, Downing Street ka ngritur shqetësime mbi përdorimin e mundshëm të armëve kimike nga forcat ruse në Mariupol për të arritur fitore.

“Përdorimi i mëparshëm i municioneve me fosfor nga forcat ruse në rajonin e Donetsk-ut rrit mundësinë e përdorimit të tyre të ardhshëm në Mariupol, ndërsa lufta për qytetin intensifikohet”, tha Ministria e Mbrojtjes në një deklaratë.

“Granatimet ruse kanë vazhduar në rajonet Donetsk dhe Luhansk, me forcat ukrainase që zmbrapsën disa sulme që rezultuan në shkatërrimin e tankeve, automjeteve dhe pajisjeve të artilerisë ruse”, shtohet në deklaratë.

Ministria e Mbrojtjes paralajmëroi gjithashtu për përdorimin e bombave të padrejtuara nga Moska që rrit ndjeshëm rrezikun e viktimave civile, ngjashëm si në qytetin Kramatorsk javën e kaluar, ku qindra civilë u vranë në një sulm me raketa në një stacion treni.

“Mbështetja e vazhdueshme e Rusisë në bomba të padrejtuara zvogëlon aftësinë e tyre për të shënjestruar kur kryejnë sulme, ndërsa rrit ndjeshëm rrezikun e viktimave të mëtejshme civile”, thuhet në deklaratë.

Kategoritë
BotaLajme