Britania shënon rekord të rasteve, Londra kaplohet nga Omicroni

Britania raportoi shifër rekorde të rasteve me Covid-19 të premten. Sipas vlerësimeve të reja, një pjesë e madhe e popullsisë së kryeqytetit Londër janë prekur nga virusi, pas përhapjes së pakontrollueshme të variantit Omicron.

Sipas të dhënave qeveritare, për 24 orë u raportuan 122.186 raste të reja infeksionesh, në krahasim me 119.789 të shënuara të enjten. Kjo ishte dita e tretë që Britania raportoi më shumë se 100.000 raste.

Rreth 5 për qind e londinezëve me gjasë e kanë pasur Covid-in më 16 dhjetor dhe, sipas vlerësimeve të hershme, kjo përqindje mund të shkojë në dhjetë të dielën, sipas modeleve të Zyrës për Statistika Kombëtare.

Shumë industri dhe rrjete transportesh po përballen me mungesë të stafit, pasi punëtorët e infektuar po izolohen, ndërsa spitalet në Britani kanë paralajmëruar për rrezikun e ndikimit në sigurinë e pacientëve, shkruan Reuters, përcjell Gazeta Express.

Megjithatë, Kryeministri Boris Johnson i ka përjashtuar masat e reja kufizuese, duke thënë se ka paqartësi rreth ashpërsisë së variantit Omicron dhe shkallës së hospitalizimeve.

Kategoritë
BotaLajme