Bruksel – Michel: Azerbajxhani dhe Armenia do të fillojnë një “proces konkret” për bisedimet e paqes

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, deklaroi të mërkurën pas një takimi me liderët e Azerbajxhanit dhe Armenisë, mbajtur në kryeqytetin Bruksel të Belgjikës, se dy vendet kanë vendosur të nisin një “proces konkret” për bisedimet e paqes.

Duke folur për gazetarët pas takimit me Presidentin Ilham Aliyev të Azerbajxhanit dhe Kryeministrin Nikol Pashinyan të Armenisë, Charles Michel njoftoi se kanë bërë “shumë përparim”.

“Sonte kemi bërë një hap të rëndësishëm në drejtimin e duhur. Kjo sigurisht nuk do të thotë që gjithçka është zgjidhur, por do të thotë se ne kemi një kuptim më të mirë se cilët janë elementët e mundshëm për t’u bashkuar dhe se ne po bëjmë përparim drejt arritjes së një marrëveshjeje të qëndrueshme që garanton paqen, sigurinë dhe stabilitetin sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo do të thotë se ne kemi vendosur të gjithë së bashku të nisim një proces konkret për bisedimet e paqes për të përgatitur një traktat të mundshëm paqeje dhe për të trajtuar të gjithë elementët e nevojshëm për një traktat të tillë”, tha ai pas takimit që zgjati rreth 5 orë.

I pyetur “edhe sa kohë duhet për të nënshkruar një marrëveshje?”, Michel theksoi se është e vështirë t’i përgjigjet kësaj pyetjes që tani, por është bërë shumë punë që nga takimi i parë në dhjetor dhe janë diskutuar prioritetet dhe ndjeshmëritë e të dyja palëve.

Sipas tij, udhëheqësit ranë dakord gjithashtu për të krijuar një komitet të përbashkët dhe për të mbajtur hapur një “kanal komunikimi”.

“Po punojmë shumë. Ne po bëjmë përparim. Nuk i nënvlerësoj sfidat e vështirësitë nga të dyja palët, por ndjej se ka një vullnet të përbashkët për të shënuar progres”, theksoi presidenti i Komisionit Evropian.

Michel më vonë lëshoi një deklaratë në lidhje me rezultatin e takimit trepalësh, në të cilën ai përsëriti angazhimin e Bashkimit Evropian për të “thelluar bashkëpunimin e tij me Armeninë dhe Azerbajxhanin” për të kapërcyer tensionet në Kaukazin e Jugut dhe për një rajon “të sigurt, të qëndrueshëm, paqësor e të begatë”.

Siç tha ai, Aliyev dhe Pashinyan deklaruan që të dy dëshirën e tyre për të “lëvizur me shpejtësi drejt një marrëveshjeje paqeje ndërmjet vendeve të tyre”.

“Për këtë qëllim, u ra dakord që të udhëzohen ministrat e Punëve të Jashtme që të punojnë në përgatitjen e një traktati të ardhshëm paqeje, i cili do të trajtojë të gjitha çështjet e nevojshme”, shtohet në deklaratë.

Pasi vë në pah se liderët ranë dakord gjithashtu që të mbledhin një komision të përbashkët kufitar deri në fund të prillit, deklarata e Michel vijon me këto fjalë: “Mandati i Komisionit të Përbashkët Kufitar do të jetë për të përshënjuar kufirin dypalësh ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit dhe të garantuar një situatë të qëndrueshme sigurie përgjatë dhe në afërsi të vijës kufitare.”

  • “Hap me rëndësi i bërë për interesat e Azerbajxhanit dhe zhvillimin e rajonit në paqe e qetësi”

Ndërkohë, Ministria azerbajxhanase e Punëve të Jashtme e cilësoi takimin trepalësh Michel-Aliyev-Pashinyan në Bruksel si “një hap me rëndësi i bërë për interesat e Azerbajxhanit dhe zhvillimin e rajonit në paqe e qetësi”.

“Gjatë takimit u vendos që të udhëzohen ministritë e jashtme të dy vendeve që të fillojnë përgatitjet për traktatin e paqes ndërmjet Azerbajxhanit dhe Armenisë”, theksoi MPJ azerbajxhanase përmes një deklarate me shkrim, ku thuhet edhe se në takimin trepalësh është diskutuar gjithashtu për hapjen e autostradave dhe hekurudhave ndërmjet dy vendeve.

Dhjetorin e kaluar, rreth një vit pasi të dyja vendet i dhanë fund një lufte 44-ditore në Karabakun Malor, Charles Michel u takua veçmas me të dy udhëheqësit dhe më pas i priti të dy në një darkë në Bruksel.

Marrëdhëniet ndërmjet dy ish-republikave sovjetike kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991, kur ushtria armene pushtoi Karabakun Malor, i njohur gjithashtu si Karabaku i Epërm apo Nagorni-Karabak, një territor i konsideruar ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, si dhe 7 rajone fqinje.

Përleshjet e reja shpërthyen në shtator 2020 dhe gjatë konfliktit 44-ditor Azerbajxhani çliroi disa qytete dhe mbi 300 vendbanime e fshatra që ishin të pushtuara nga Armenia prej gati 30 vjetësh.

Një marrëveshje trepalëshe u ndërmjetësua nga Rusia për t’i dhënë fund luftës në nëntor 2020.

Kategoritë
BotaLajme