Bullgaria shpall persona të padëshiruar dy diplomatë rusë nën dyshimin për spiunim

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme i Bullgarisë, Mitko Dimitrov, tha se diplomatëve u është dhënë 48 orë për ta lëshuar vendin.

Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë ka shpallur persona të padëshiruar dy diplomatë që punojnë në ambasadën ruse në Sofje nën dyshimin për spiunimin kundër Bullgarisë.

Duke folur për gazetarët, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme i Bullgarisë, Mitko Dimitrov, tha se diplomatëve u është dhënë 48 orë për ta lëshuar vendin.

Dimitrov tha se organet bullgare të sigurisë i përcollën informacion ministres së Punëve të Jashtme, Teodora Genchovska, që përmbante prova se dy të dyshuarit ishin të përfshirë në “veprimtari spiunazhi” në Bullgari.

Ambasada ruse në Sofje në një njoftim tha se dy diplomatë bullgarë që punojnë në ambasadën bullgare në Moskë do të dëbohen sa më parë të jetë e mundur.

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Bullgarisë është thirrur edhe ambasadorja ruse, Eleonora Mitrofanova, e cila nuk është paraqitur dhe ka dërguar zëvendësin e saj.

Ndërkohë, kryeprokurori Ivan Gashev njoftoi se Agjencia Shtetërore për Sigurinë Kombëtare tashmë ka nisur një hetim për një gjeneral bullgar në pension, i cili spiunonte në ambasadën ruse.

Prokurori tha se më parë gjenerali bullgar ka punuar në Ministrinë e Mbrojtjes së Bullgarisë dhe ka pasur qasje në informacione të klasifikuara në lidhje me Bashkimin Evropian (BE) dhe NATO-n.

Kategoritë
BotaLajme