Burri nga Ferizaj me lot në sy tregon se si iu zhduk gruaja në luftë para 23 vitesh

Sali Muhaxheri ka treguar me lot në sy për zhdukjen e gruas së tij para 23 viteve në Ferizaj 

Ai në emisionin “Frontal” në T7 ka thënë se nga ajo ditë nuk kanë dëgjuar asnjë informacion për të.

“Dita e 13 prillit ka qenë ditë e premte. Si sot më kujtohet. Kanë qenë bashkë me gruan e kushëririt. Kanë dal me ble diçka për fëmijë, me marrë diçka për fëmijë afër diku. Momentin që kanë dal më nuk janë kthyer. Kurrë nuk kemi një informatë edhe më të vogël, se ku janë marrë, qysh janë marrë edhe kur janë marrë. Asnjë informatë më të vogël nuk e kemi  me atë datë”, ka thënë ai.

Muhaxheri tregon edhe për kërkimet që kanë bërë për gruan e tij. Ai tregon se si vet nuk ka mundur ta kërkojë për shkak se ishte i angazhuar në UÇK.

“Kemi fillu kërkimet, kontaktet.. për fat atëherë e kam pas babin gjallë. Ka qenë afër të 80-ve. Ai ka dalë dhe i ka kërku edhe pse ka qenë rrezik mjaft. Pasi që fshati jonë ka qenë zonë e luftës atë kohë. Njësia Speciale e UÇK-së ka qenë në fshatin tonë atëherë. Me sugjerimin e komandantit të kësaj njësie, na pat thënë baba le të shkon dhe le ta kërkon, e ju kurrsesi”, tha ai.

Më tutje, ai tregoi edhe për bisedën që kishte zhvilluar babai i tij me forcat policore serbe.

“Më tha fëmijët paskan mbetë pa nënë, por mos të mbesin edhe pa babë. E kemi ditë se me çfarë armiku kemi punë. Babai e ka kërku atë ditë, por i kanë thënë nuk ka problem por vetëm të vjen djali. Atë kohë ka qenë i improvizuar një restorant ku qëndronin njësitet e policisë serbe aty. I kanë thënë le të vjen djali, sepse gruan e lëshojmë kur vjen aj. Ata e kanë konfimu që është marrë por nuk i kanë dhënë detaje”, tha ai.

E për shkak që ishte pjesëtarë i UÇK-së, Muhaxheri tha se nuk ka mundur që të shkojë për të kërkuar gruan e tij.

“Babai më ka thënë me shku mu dorëzu, jam përgatit por prapë me këshillën e vëllait dhe të komandantit, ai na sugjeroi që kurrsesi ti jo sepse ishim pjesë e luftës. Më tha edhe nëse ta mbysin babain i ka do vjet”, deklaroi ai.

E gruaja fëmijën më të vogël ia la pa i mbushur ende pesë vjet.

Por tash thotë se të gjithë janë të martuar dhe se shpesh e kujtojnë kohën e luftës dhe nënën e tyre. /Express/

Kategoritë
LajmeVendi