“Capital”: Turqia zgjeron kontrollin e saj në Afrikë, dronët e saj luftarakë po shiten si ëmbëlsira

Revista “Capital”, një e përmuajshme ekonomike franceze, shkroi se Turqia e ka rritur ndjeshëm influencën e saj në Afrikë me anë të Presidentit Recep Tayyip Erdogan dhe dronët luftarakë të saj po shiten si të ishin ëmbëlsira.

Në artikullin e titulluar “Mbrojtja: Turqia zgjeron kontrollin e saj në Afrikë, dronët e saj luftarakë po shiten si ëmbëlsira”, ku Xhamia e Madhe e Shën-Sofisë është përdorur si fotografi kopertine, thuhet se Turqia vazhdoi ta çimentonte reputacionin e dronëve të saj vitin e kaluar duke ndihmuar Azerbajxhanin për të rimarrë kontrollin e shumicës së territoreve të pushtuara nga Armenia gati tri dekada më parë.

“Pas tregtisë dhe bashkëpunimit, Turqia dëshiron të zhvillojë sektorin e mbrojtjes në Afrikë dhe po mbështetet në dronët e saj luftarakë për të forcuar lidhjet e saj me liderët e kontinentit, të ftuar më 17 dhe 18 dhjetor në Stamboll. Dy muaj pas forumit ekonomik me vendet afrikane, i fokusuar në investime dhe tregti, Presidenti Recep Tayyip Erdogan po përgatitet të mirëpresë rreth 40 zyrtarë të lartë afrikanë, përfshi këtu 13 krerë shtetesh dhe 2 kryeministra, sipas Ministrisë turke të Punëve të Jashtme”, vijon e përmuajshmja franceze.

Duke sqaruar se ky takim i ri këtë herë do të fokusohet në çështjet e sigurisë dhe promovimin e pajisjeve ushtarake turke me një kosto më të ulët dhe me kushte elastike në vendet afrikane, “Capital” tërheq vëmendjen se Ankaraja tashmë ka një bazë ushtarake në Somali dhe Maroku me Tunizinë morën në dorëzim dronët e tyre të parë luftarakë turq në shtator.

“Angola, nga ana tjetër, kohët e fundit shprehu interes për këto mjete ajrore pa pilotë gjatë vizitës së parë zyrtare që Presidenti Erdogan realizoi në vendin afrikanojugor prodhues të naftës në tetor”, potencon revista.

“Sektori i mbrojtjes është një aset i ri dhe Turqia e ka shtyrë shumë atë, veçanërisht atë të dronëve”, vëren për “Capital” Federico Donelli, studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Gjenovës, në Itali.

Ankaraja “nuk ofron vetëm pajisjet e saj (ushtarake), por edhe trajnime, sikurse në Somali”, shton ai duke nënvizuar se droni “Bayraktar TB2”, një prej modeleve të kompanisë private “Baykar”, është më i kërkuari pas sukseseve të tij të lavdëruara gjatë viteve të fundit në Libi dhe Azerbajxhan.

“Kudo që shkoj në Afrikë, të gjithë më flasin për dronët”, citohet të ketë thënë Presidenti Erdogan pas turneut të tij në Angolë Nigeri dhe Togo këtë vjeshtë.

Sipas revistës franceze, eksportet e industrisë së mbrojtjes dhe aeronautikës së Turqisë në Etiopi kanë arritur në 94,6 milionë dollarë midis janarit dhe nëntorit 2021, krahasuar me rreth 235 mijë dollarë gjatë së njëjtës periudhe të një viti më parë.

Të dhënat e paraqitura nga Asambleja e Eksportuesve të Turqisë (TIM) tregojnë rritje të ngjashme për Angolën, Çadin dhe Marokun. Dronët turq spikatën për herë të parë në vitin 2019, pasi Ankaraja nënshkroi dy marrëveshje mbrojtëse me qeverinë libiane të njohur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

“Në vijim, Tripoli i lëshoi këto pajisje në zonën e konfliktit duke ngadalësuar përparimin e forcave ilegale nga Lindja dhe duke i hapur rrugën një tranzicioni gradual drejt një procesi zgjedhor”, saktëson ajo.

“Tani, me dronët e saj, Turqia ka një as më shumë nën mëngë kur bëhet fjalë për negociata me vendet e tjera”, vazhdon Federico Donelli për revistën.

Më tej, “Capital” citon industrialistin Nail Olpak, kryetar i Këshillit për Marrëdhëniet Ekonomike të Jashtme të Turqisë, një organizatë e pavarur me ndikim që krijoi Forumin Ekonomik të Stambollit, të jetë shprehur me këto fjalë: “Ne i kushtojmë rëndësi sektorit të mbrojtjes dhe marrëdhënieve tona me Afrikën. Por ta kufizosh këtë sektor vetëm me shitjen e armëve, raketave, pushkëve apo tankeve do të ishte gabim.”

Artikulli rikujton gjithashtu se ushtria e Togos u modernizua me mbështetjen e Turqisë, e cila i ofroi këtij vendi afrikan trajnime ushtarake, mjete çminimi dhe municione.

Këtë e konfirmon për revistën franceze edhe studiuesi italian, Donelli. Ai thekson planin e modernizimit të ushtrisë togoleze të realizuar me mbështetjen e Turqisë, e cila jep trajnime dhe mjete të blinduara krahas armëve dhe pajisjeve të tjera.

“Capital” e mbyll shkrimin e saj duke nënvizuar se Turqia e ka zgjeruar gradualisht kontrollin e saj në Afrikë me një rrjet prej 37 zyrash ushtarake në kontinent, për të mbështetur objektivin e Presidentit Erdogan lidhur me trefishimin e vëllimit vjetor të tregtisë me shtetet afrikane në 75 miliardë dollarë gjatë viteve të ardhshme.

Kategoritë
BotaLajme