Çavuşoğlu bën thirrje për veprime të përbashkëta për t’u ballafaquar me fluks të mundshëm migrimi nga Afganistani

Ministri i Jashtëm turk tha se çdo marrëveshje migrimi me BE-në që kufizohet vetëm në ndihmë financiare në këmbim që Turqia të strehojë refugjatë nuk do të jetë e pranueshme

Komuniteti ndërkombëtar duhet të ndërmarrë veprime të përbashkëta për t’u ballafaquar me një fluks të mundshëm migracioni nga Afganistani, ku talibanët kanë marrë pushtetin kohët e fundit, tha ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu, raporton Anadolu Agency (AA).

Çavuşoğlu i bëri këto komente duke folur në një konferencë shtypi me homologen e tij holandeze Sigrid Kaag në kryeqytetin e Turqisë, Ankara.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje nëse një marrëveshje e rinovuar e migrimit me BE-në do të përfshijë afganët, ai tha se çdo marrëveshje migrimi me bllokun që kufizohet vetëm në ndihmë financiare në këmbim që Turqia të strehojë refugjatë nuk do të jetë e pranueshme.

Çavuşoğlu vuri në dukje se Turqia nuk “bëri dallim” midis emigrantëve të parregullt të kthyer nga Greqia si pjesë marrëveshjes ekzistuese të migrimit të vitit 2016 midis bllokut dhe Ankarasë, duke nënvizuar se në mesin e emigrantëve të kthyer kishte gjithashtu shtetas afganë.

“Sa i përket çështjes së afganëve, një bashkëpunim mbi atë se ‘ne po paguajmë, kështu që mbajini afganët në vendin tuaj’, nuk është i pranueshëm. Ne kemi thënë që nga fillimi se nuk do ta pranojmë një ofertë të tillë”, tha ai, duke shtuar se refugjatët afganë duhet të jenë në gjendje të kthehen në vendin e tyre vullnetarisht dhe në një mënyrë dinjitoze sapo të vendoset siguria dhe stabiliteti në Afganistan.

Duke nënvizuar se një marrëveshje e azhurnuar e migrimit duhet të përfshijë çështjen e kthimit të sigurt për refugjatët afganë dhe sirianë në vendet e tyre përkatëse, ministri turk tha: “Kjo çështje po vazhdon të përkeqësohet, duke krijuar probleme. Nëse është problem për BE-në, atëherë është problem edhe për Turqinë”.

Ai më tej tha se pas marrjes nën kontroll të kryeqytetit afgan Kabul nga ana e talibanëve në fillim të këtij muaji, Turqia ndihmoi vende të ndryshme në përpjekjet e tyre për të evakuuar shtetasit e tyre nga Afganistani. Ai shtoi se Turqia përmbushi tepër përgjegjësitë e saj morale dhe humanitare.

Duke përmendur marrëveshjen e migrimit të vitit 2016, Çavuşoğlu tha se Turqia gjithashtu ka bërë pjesën e saj sipas kësaj marrëveshjeje, por që BE-ja dështoi në përmbushjen e përgjegjësive të saj.

Sipas kryediplomatit turk, BE-ja nuk iu përgjigj propozimit të Turqisë për azhurnimin e marrëveshjes, dhe përkundrazi premtoi fonde të reja prej 3 miliardë eurosh për të mbështetur refugjatët në Turqi.

Kategoritë
BotaLajme