Çavusoglu: Izraeli duhet të braktisë politikat e gabuara për marrëdhënie të shëndetshme me Turqinë

Ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu, deklaroi se Izraeli duhet të braktisë politikat e gabuara në mënyrë që të ruajë një marrëdhënie të shëndetshme me Turqinë.

Mevlut Çavusoglu mbajti një konferencë të përbashkët shtypi me Robert Dussey, ministër i Punëve të Jashtme, Integrimit Afrikan dhe Diasporës së Togos, pas një takimi kokë më kokë dhe ndërmjet delegacioneve në selinë e Ministrisë në Ankara.

I pyetur nga një gazetar në lidhje me përpjekjet për formimin e qeverisë në Izrael dhe pritjet e tij nga qeveria e re që do të formohet në këtë vend, shefi i diplomacisë turke u përgjigj se formimi i qeverisë është punë e brendshme e Izraelit.

Çavusoglu vuri në pah se e rëndësishme nuk është se kush do ta formojë qeverinë në Izrael, por çfarë politikash do të ndjekë administrata e re e atjeshme.

“Për të pasur marrëdhënie të shëndetshme me ne, pa marrë parasysh se çfarë qeverie do të jetë, Izraeli së pari duhet të braktisë politikat e tij të gabuara, duhet të ndalë sulmet ndaj Palestinës. Ai gjithashtu duhet të kthehet në procesin e paqes duke hequr dorë nga hapat që do të konsumonin zgjidhjen me dy shtete”, u shpreh ai.

Nga ana tjetër, Çavusoglu theksoi se Izraeli ka shtuar vendbanimet e paligjshme duke vazhduar uzurpimin e territoreve palestineze veçanërisht kohët e fundit.

“Dje dhe sot, ata ndërmorën përsëri hapa për vendbanimet e paligjshme. Si Ministri e Punëve të Jashtme, ne bëmë një deklaratë mbi këtë çështje. Izraeli duhet t’i braktisë këto politika. Ai gjithashtu duhet të braktisë hapat që do të prishnin statusin e Jerusalemit”, shtoi ai.

Çavusoglu potencoi se Tel-Avivi duhet të heqë dorë nga këto politika në mënyrë që të krijohen marrëdhënie të shëndetshme me Izraelin.

“Nëse (Izraeli) i vazhdon këto politika, ne nuk do të jemi në gjendje të kemi një marrëdhënie të shëndetshme, por nëse Izraeli kthehet në zgjidhjen me dy shtete, parametrat e të cilit janë të qarta, si dhe respekton të drejtat e palestinezëve, atëherë do të ketë marrëdhënie të shëndetshme jo vetëm me ne, por me të gjithë”, tha kryediplomati turk mes të tjerash.

Kategoritë
BotaLajme