Çavuşoğlu: Kanali i Stambollit nuk do të ndikojë në menaxhimin e ngushticave

Duke e takuar homologun rus Lavrov, ministri i Jashtëm turk Çavuşoğlu bisedoi po ashtu rreth Sirisë, Libisë dhe lidhjet në fushën e turizmit

Mega-projekti Kanali i Stambollit nuk do të ndikojë në menaxhimin e duhur të ngushticave turke, i tha ministri i Jashtëm turk homologut të tij rus pas bisedimeve dypalëshe, raporton Anadolu Agency (AA).

Rruga alternative e planifikuar midis Detit të Marmarasë dhe Detit të Zi, e planifikuar për t’u përfunduar më 2025-2026, nuk do të ketë efekt në Marrëveshjen e Montrosë të vitit 1936 mbi ngushticat turke, dhe as anasjelltas, tha kryediplomati turk Mevlüt Çavuşoğlu në një konferencë të përbashkët shtypi me shefin e diplomacisë ruse Sergey Lavrov.

Duke folur para gazetarëve në qytetin turistik mesdhetar Antalya, Lavrov tha se “Rusia është e kënaqur të punojë me kolegët turq në zbatimin e Marrëveshjes së Montrosë”.

Marrëveshja i jep Turqisë kontroll mbi ngushticat e saj dhe rregullon transitin e anijeve luftarake detare.

Lavrov shtoi se ndërtimi i kanalit nuk do të përgatisë terrenin për stacionime ushtarake të huaja.

Duke folur për Sirinë, një çështje për të cilën Moska dhe Ankaraja kanë punuar për vite me radhë, ministri turk Çavuşoğlu tha se Turqia do të vazhdojë të punojë me Rusinë për paqen dhe procesin politik në këtë vend.

Në lidhje me Libinë, Çavuşoğlu tha se uniteti politik dhe integriteti territorial i vendit të Afrikës Veriore janë përparësitë për të cilat Turqia dhe Rusia bien dakord.

Nga ana tjetër, duke prekur konfliktin ushtarak të vjeshtës së kaluar midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, i cili përfundoi në nëntor me një armëpushim të ndërmjetësuar nga Rusia, Lavrov tha: “Rusia dëshiron që armenët dhe azerbajxhanasit të jetojnë si fqinjë të mirë dhe bën thirrje për pajtim”.

“Ne i vlerësojmë aktivitetet e qendrës së përbashkët të komandës (me Turqinë) në Azerbajxhan”, shtoi ai.

– Turizmi dhe vaksinimi

Çavuşoğlu tha gjithashtu se Turqia i propozoi Rusisë njohjen e ndërsjellë të certifikatave të vaksinave kundër COVID-19.

“Qytetarët rusë e shohin Antalya-n si një destinacion tërheqës dhe ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të zhvilluar marrëdhëniet në fushën e turizmit”, tha nga ana tjetër Lavrov.

Tradicionalisht një destinacion kryesor për turistët rusë, Turqia, si pjesa tjetër e botës, vitin e kaluar u detyrua të mbyllte pjesën më të madhe të turizmit për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Por shifrat janë përmirësuar jashtëzakonisht shumë në Turqi, së bashku me fushatën e fuqishme të vaksinimit dhe masat e forta të sigurisë, duke bërë që vendi të rihapet për turizëm dhe që Rusia javën e kaluar të japë dritën jeshile për rikthimin e plotë të fluturimeve për në Turqi.

Kategoritë
BotaLajme