Çavuşoğlu në Ukrainë: Shtohen shpresat për armëpushim, Turqia e gatshme të organizojë takim liderësh

Ministri i Jashtëm turk Çavuşoğlu tha se Turqia është angazhuar për zgjidhjen dhe arritjen e paqes që nga fillimi i krizës

Shpresat për armëpushim në luftën ruso-ukrainase janë rritur më tej pas bisedimeve në Moskë dhe Lviv, deklaroi ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu pas vizitës në Rusi dhe Ukrainë, raporton Anadolu Agency (AA).

Çavuşoğlu sot në Lviv u takua me homologun e tij ukrainas, Dmitry Kuleba.

Duke rikujtuar se takimi i fundit i Këshillit Ndërshtetëror për Bashkëpunim Strategjik të Turqisë dhe Ukrainës është mbajtur në Lviv, Çavuşoğlu tha se është veçanërisht e rëndësishme që takimi të mbahet në këtë qytet, duke shprehur mbështetjen për partnerin strategjik.

Duke theksuar se që nga 24 shkurti, kur filloi lufta, mijëra civilë kanë humbur jetën dhe më shumë se tre milionë janë larguar nga Ukraina, Çavuşoğlu tha se “lufta duhet të ndalet sa më shpejt që të jetë e mundur dhe bashkë me të edhe gjakderdhja”.

Çavuşoğlu theksoi se Turqia ka bërë përpjekje që nga fillimi i krizës për të gjetur zgjidhje dhe për arritjen e paqes.

“Me këtë qasje, ne organizuam një takim të ministrave të jashtëm të Rusisë dhe Ukrainës, Sergei Lavrov dhe Dmitry Kuleba, në Antalya. Ndërsa negociatat po vazhdojnë nga njëra anë dhe ne po vazhdojmë përpjekjet tona për të vendosur paqen, unë dje isha në Moskë për këtë arsye. Sot e informova Dmitry Kuleban për temat e bisedës në Moskë. Presidenti Erdoğan foli dje me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe sot ai do të bisedojë me presidentin rus Vladimir Putin”, tha Çavuşoğlu.

Ministri i Jashtëm turk tha se e gjithë bota e ndjek luftën e popullit ukrainas.

“Mbështetja jonë për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës është e plotë. Mbështetja që ne i ofrojmë Ukrainës është një sekuencë e natyrshme që rrjedh nga aleanca jonë. Ne do të vazhdojmë të ndihmojmë Ukrainën, veçanërisht në aspektin humanitar”, tha Çavuşoğlu.

Ai rikujtoi qëndrimin dhe qasjen parimore të Turqisë që nga fillimi i krizës, ku potencoi rëndësinë e evakuimit të qytetarëve turq nga Ukraina dhe falënderoi autoritetet ukrainase për ndihmën e tyre.

Çavuşoğlu tha se kanë hapur dyert e vendit të tyre dhe po përpiqen në mënyrën më të mirë të ndihmojnë refugjatët, ukrainasit dhe tatarët e Krimesë, si dhe bashkatdhetarët që kërkuan ndihmë nga Turqia.

“Vështirësia më e madhe për momentin është evakuimi i qytetarëve tanë, por edhe i civilëve të tjerë nga Mariupoli, ku po vazhdojnë luftimet. Duam një armëpushim sa më shpejt në Mariupol, por edhe në të gjithë Ukrainën, dhe për t’i dhënë hapësirë ​​dhe një shans diplomacisë. Do të jemi të kënaqur t’i presim sërish ministrat në Antalya, por duhet të përgatisim edhe një takim të liderëve, kurse ne edhe më parë kemi shprehur gatishmërinë ta organizojmë takimin. Pas këtyre vizitave në Rusi dhe Ukrainë, shpresat tona për një armëpushim janë shtuar”, theksoi shefi i diplomacisë turke.

Ministri turk tha se që në takimin në Antalya, ai përshëndeti propozimin e Ukrainës për vendosjen e armëpushimit humanitar në Mariupol për 24 orë, për evakuim, por “për fat të keq nuk ia dolëm dhe dhjetëra mijëra civilë nuk mundën të largoheshin nga qyteti. Pala ruse akuzon Ukrainën për pengim, ndërsa pala ukrainase thotë se është Rusia ajo që po pengon. Ne propozojmë organizatat ndërkombëtare humanitare si vëzhgues të zbatimit të një armëpushimi të mundshëm”.

Çavuşoğlu tha se më shumë se 15.000 qytetarë të Turqisë ishin evakuuar dhe se rreth njëqind ndodhen në Mariupolin e goditur nga konflikti.

Ukraina “vlerëson” qëndrimin parimor të Turqisë në luftën e vazhdueshme

Para takimit me dyer të mbyllura, shefi i diplomacisë ukrainase vlerësoi rolin aktiv të Turqisë në ndërtimin e paqes midis dy vendeve ndërluftuese.

Duke shprehur keqardhje për mbajtjen e takimit në rrethanat aktuale, ministri Kuleba i tha homologut të tij turk se angazhimi, guximi dhe vizita personale në Lviv të Ukrainës dëshmon se “Turqia është një lojtar aktiv dhe e gatshme të investojë për të sjellë paqen” në marrëdhëniet midis Ukrainës dhe Rusisë.

Kuleba theksoi se ai ka mbajtur kontakte të ngushta me Çavuşoğlu-n edhe para vizitës së djeshme të ministrit turk në Moskë dhe shtoi se ata kanë diskutuar përmes telefonit mënyrat për t’i dhënë fund luftës.

Ukraina dhe populli i saj, theksoi Kuleba, vlerësojnë “pozitën parimore” që Turqia ka marrë që nga shpërthimi i luftës.

“Ne presim një diskutim të frytshëm dhe të diskutojmë hapat e ardhshme që mund të ndërmarrim për të arritur paqen”, tha Kuleba.

Lufta Rusi-Ukrainë, që filloi më 24 shkurt, ka shkaktuar reagime ndërkombëtare, ka çuar në sanksione financiare ndaj Moskës si dhe ka nxitur një largim të kompanive globale nga Rusia.

OKB-ja njofton se të paktën 726 civilë kanë humbur jetën dhe rreth 1.200 të tjerë janë plagosur që nga fillimi i luftës në Ukrainë, ndërkohë që mbi 3,1 milionë refugjatë ukrainas kanë ikur në vendet fqinje.

Kategoritë
BotaLajme