Çavuşoğlu: Nuk do të bëjmë kompromis për pavarësinë, sovranitetin dhe barazinë e Qipros Turke

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu tha se Turqia do të vazhdojë të mbështesë zgjidhjen me dy shtete bazuar në barazinë sovrane të miratuar nga Republika Turke e Qipros Veriore.

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu tha se Turqia do të vazhdojë të mbështesë zgjidhjen me dy shtete bazuar në barazinë sovrane të miratuar nga Republika Turke e Qipros Veriore (TRNC), raporton Anadolu Agency (AA).

Çavuşoğlu dhe presidenti i TRNC-së, Ersin Tatar, organizuan një konferencë të përbashkët për media pas përfundimit të takimit jozyrtar 5+1 mbi Qipron në Gjenevë të organizuar nën udhëheqjen e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe me pjesëmarrjen e shteteve garantuese.

Kryediplomati turk theksoi se administrata qipriote greke shpeshherë ka përsëritur pretendimet e saj nga Crans Montana dhe negociatat tjera. “Lideri i Qipros Jugore në bisedimet nuk solli një vizion të ri. Ai i përsëriti retorikat e vjetra. Shpeshherë përsëriti ashtu si më parë pretendimin ‘nëse u jepet barazi turqve qipriotë shteti i partneritetit nuk do të jetë funksional'”, tha ai.

Ai më tej deklaroi se lideri qipriot grek ka thënë se turqit qipriotë nuk mund të jenë të barabartë sovran si shtet dhe komunitet. “Refuzuan sugjerimet e Sekretarit të Përgjithshëm, Antonio Guterres dhe i treguan atij se nuk do t’i pranojnë”, u shpreh Çavuşoğlu.

Çavuşoğlu, duke deklaruar se përkundër përpjekjeve të Mbretërisë së Bashkuar si shtet garantues dhe Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Guterres për të gjetur një rrugë të mesme, nuk u arrit një pikë e përbashkët për të filluar një negociatë të re, tha se:

“Pas kësaj, Sekretari i Përgjithshëm tregoi se dëshiron që ky proces të vazhdohet kështu në mënyrë jozyrtare edhe disa muaj, të vazhdojë të kontrollojë terrenin. Ne e mbështetëm këtë vendim. Megjithatë, sugjerimi jozyrtar 5+OKB erdhi nga ne. Ne do të vazhdojmë qëndrimin tonë të fortë në periudhën e ardhshme. Do të vazhdojmë të mbështesim zgjidhjen me dy shtete bazuar në barazinë sovrane, vizionit të zgjidhjes me dy shtete dhe sugjerimit të Republikës Turke të Qipros Veriore”, tha ai.

“Nuk do të bëjmë kompromis për pavarësinë, sovranitetin dhe barazinë e Republikës Turke të Qipros Veriore”, shtoi më tej Çavuşoğlu duke theksuar se nëse nuk pranohet do të vazhdojnë rrugëtimin e tyre me TRNC.

Kategoritë
BotaLajme