Çavuşoğlu: Prania e organizatës terroriste PKK në Irak nuk do të pranohet kurrë

“Ne jemi të gatshëm të ofrojmë për shtetin e Irakut çdo lloj mbështetjeje në luftën kundër këtyre organizatave terroriste të cilat përbëjnë kërcënim për stabilitetin dhe shkelin sovranitetin e Irakut”, tha Çavuşoğlu

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu deklaroi se prania e organizatës terroriste PKK në Irak nuk do të pranohet kurrë dhe se janë të gatshëm të japin çdo mbështetje për shtetin e Irakut në luftën kundër kësaj organizate terroriste, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një fjalim të mbajtur në Konferencën e Bashkëpunimit dhe Partneritetit në Bagdad, Çavuşoğlu duke bërë me dije se do të vazhdojnë mbështetjen e tyre për këtë vend që Iraku të sigurojë stabilitet ai vuri në dukje partneritetin dhe bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve.

“Jemi të gatshëm të ofrojmë kontribut për vendosjen në zbatim të projekteve për ndërtimin e autostradës dhe hekurudhës nga Faysh Khabur deri në Bagdad, rehabilitimin e rrugëve tokësore dhe hekurudhore mes Bagdadit dhe Basra-s, ndërtimin e zonës së organizuar industriale në Mosul, sigurimin e kontributit për zhvillimin e Portit Barsa Fav dhe kontribute për zbatimin e projekteve në fushën e ujitjes dhe menaxhimit të ujit. Pa siguri nuk mund të ketë as edhe zhvillim ekonomik”, tha Çavuşoğlu i cili shtoi se është e rëndësishme hapja e një pike të re kufitare me Irakun.

“Nuk e pranojmë kurrë praninë e PKK-së në Irak”

Terrorizmi nuk do të ketë kurrë vend në të ardhmen e rajonit dhe Irakut, tha Çavuşoğlu i cili më tej shtoi:

“Si një vend i cili lufton përnjëherësh me organizata terroriste të tilla si DEASH, PKK, YPG dhe FETO, ne e dimë mjaft mirë fytyrën e errët të terrorizmit. Organizata terroriste të tilla si DEASH, PKK dhe YPG kërcënojnë edhe sigurinë rajonale. Dëshiroj të theksoj edhe njëherë se nuk do ta pranojmë kurrë praninë e organizatës terroriste PKK në Irak. Nga të gjitha vendet mike dhe fqinje presim që të japin mbështetje ndaj luftës tonë me këto organizata terroriste. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë për shtetin e Irakut çdo lloj mbështetjeje në luftën kundër këtyre organizatave terroriste të cilat përbëjnë kërcënim për stabilitetin dhe shkelin sovranitetin e Irakut”.

“Problemet tona i dimë më mirë vetë dhe i zgjidhim vetë”

Ai tha se për një luftë të suksesshme me organizatat terroriste është e nevojshme të sigurohet stabiliteti politik. “Gjithashtu përfundimi i procesit kushtetues ka një rëndësi të madhe për sigurimin e stabilitetit politik. Është një nevojë e rëndësishme që të sigurohet institucionalizimi dhe në këtë mënyrë të sigurohet vazhdimësia në shtet. Do të vazhdojmë të mbështesim përpjekjet për forcimin e institucioneve politike në Irak”, potencoi Çavuşoğlu.

Duke uruar që zgjedhjet që do të mbahen më 10 tetor në Irak të kalojnë me pjesëmarrje të lartë dhe në qetësi, Çavuşoğlu bëri me dije se Iraku dhe Bagdadi janë një prej qendrave më të rëndësishme të qytetërimit islam.

Ai rikujtoi se ka shembuj në historinë e përbashkët të rajonit që uniteti e ka çuar përpara rajonin ndërsa mosmarrëveshja e ka çuar prapa. “Është koha që të lëmë me një anë ndryshimet mes nesh dhe të fokusohemi në pikat tona të përbashkëta. Si një njeri i këtij rajoni, problemet tona i dimë më mirë vetë dhe i zgjidhim vetë”, tha Çavuşoğlu.

Ai theksoi se ndërhyrjet e jashtme nuk do të sjellin zgjidhje ndaj problemeve të rajonit. “Populli ynë zgjidhjet i pret nga ne dhe jo nga të tjerët. Në këtë kuvend miqësie ne mund të ndërmarrim hapa të rëndësishëm për t’i lënë një trashëgimi të bukur brezave të ardhshëm. Uroj që Konferenca e Bashkëpunimit dhe Partneritetit në Bagdad t‘i japë një jetë të re dialogut tonë rajonal”, tha ministri Çavuşoğlu.

Kategoritë
BotaLajme