Çavuşoğlu: Turqia nuk mund të fajësohet për dronët e përdorur nga Ukraina

“Nëse një shtet e blen këtë nga ne, ajo nuk është më produkt turk. Ndoshta mund të jetë prodhuar në Turqi, por i përket Ukrainës. Turqia nuk mund të akuzohet për këtë”, tha ministri Çavuşoğlu.

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu tha se mjetet e armatosura ajrore pa pilot (dronët) që Ukraina ka përdorur mund të jenë prodhuar në Turqi, por përdorimi i tyre i përket Ukrainës dhe për këtë arsye Turqia nuk mund të fajësohet, raporton Anadolu Agency (AA).

Çavuşoğlu zhvilloi një takim me homologun e tij rus Sergey Lavrov në Romë ku ndodhet bashkë me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan për Samitin e Liderëve të G20.

Pas takimit dypalëshe Çavuşoğlu bëri një deklaratë për shtypin turk dhe atë rus.

I pyetur nga gazetari rus lidhur me përdorimin e mjeteve ajrore pa pilot (dronë) në Donbas të prodhuar nga Turqia, ministri Çavuşoğlu tha:

“Nëse një vend ka blerë nga ne, ose nga një vend tjetër, ajo armë nuk mund të quhet më armë turke, ose ruse apo ukrainase. Nëse një shtet e blen këtë nga ne, ajo nuk është më produkt turk. Ndoshta mund të jetë prodhuar në Turqi, por i përket Ukrainës. Turqia nuk mund të akuzohet për këtë”.

Çavuşoğlu më tej tha se edhe Turqia gjatë luftës së saj kundër terrorizmit është përballur me armë të vendeve të ndryshme. “Ndonjëherë në luftën tonë kundër terrorizmit në vende të ndryshme ne përballemi me armë të vendeve të ndryshme, përfshirë këtu edhe Rusinë. Ne kurrë nuk e kemi akuzuar Rusinë. Edhe Ukraina duhet të ndalojë përdorimin e emrit tonë”, tha ai.

Kategoritë
BotaLajme