Çavuşoğlu: Vetëm Izraeli është përgjegjës për dhunën në Palestinë

“Vetëm Izraeli është përgjegjës për atë që po ndodh sot në Kuds, Bregun Perëndimor dhe Gaza”, tha ministri i Jashtëm i Turqisë

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, tha se vetëm Tel Avivi është përgjegjës për dhunën në Izrael dhe Palestinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur gjatë një sesioni të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së mbi situatën në Izrael dhe Palestinë, Çavuşoğlu tha që faji duhet të vendoset “atje ku i takon”.

“Vetëm Izraeli është përgjegjës për atë që po ndodh sot në Kuds, Bregun Perëndimor dhe Gaza”, tha ai.

“Përsëritja e tragjedive të tilla nuk mund të parandalohet nëse dhe derisa Izraeli të mbajë përgjegjësi për krimet e tij dhe mosndëshkimit të tij t’i jepet fund”, shtoi kryediplomati turk.

Deri më tani, të paktën 230 palestinezë janë vrarë, duke përfshirë 65 fëmijë dhe 39 gra, dhe mbi 1.700 të tjerë janë plagosur, në sulmet izraelite në Rripin e Gazës që nga 10 maji, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë me bazë në Gaza.

Dymbëdhjetë njerëz janë vrarë në Izrael për shkak të gjuajtjes me raketa palestineze nga Gaza.

Çavuşoğlu theksoi se bllokada 14-vjeçare e Gazës nga Izraeli ka kthyer enklavën bregdetare të rrethuar “në burgun më të madh në ajër të hapur në botë”, duke shtuar se mbi dy milionë njerëz jetojnë në një territor prej vetëm 365 kilometrash katrorë.

“Nëpërmjet përsëritjes, autorët e kësaj tragjedie duan që ne të bëhemi të pandjeshëm ndaj këtyre krimeve të egra, shtypjes së popullit palestinez dhe shkeljeve të të drejtave dhe lirive të tyre themelore të njeriut”, tha ministri i Jashtëm turk.

“Megjithatë, ne nuk do të qëndrojmë të heshtur përpara mizorive dhe brutalitetit të patreguar, sepse e dimë që të heshtësh përballë padrejtësisë, është sikur të jesh bashkëpunëtor i krimit të kryer. Ai që qëndron i heshtur para padrejtësisë është djall i heshtur”, shtoi ai.

Ministri i Jashtëm turk tha se përpjekjet duhet të zhvendosen tani jo vetëm drejt ndërmjetësimit të një armëpushimi, por gjithashtu drejt mobilizimit të “përpjekjeve ndërkombëtare për t’i dhënë fund pushtimit të Izraelit dhe bllokimit mbi territoret palestineze”.

“Aspiratat legjitime të popullit palestinez për liri dhe dinjitet nuk mund të shtypen më”, tha ai.

“Është koha që bashkësia ndërkombëtare të dalë me mjete efektive ligjore dhe morale për të ndaluar sulmet e Izraelit ndaj palestinezëve”, u shpreh shefi i diplomacisë turke.

Kategoritë
BotaLajme