Çfarë janë kriptovalutat, për të cilat Kosova po bën ligj?

Kosova pritet që së shpejti të bëhet me një ligj të ri, i cili do të përcaktojë rregullat e përdorimit të kriptovalutave, apo parave digjitale, brenda territorit të saj.

Përveç kategorizimit të kriptovalutave dhe të formave të taksimit, projektligji synon edhe të sigurojë pajtueshmëri të industrisë me ligjet vendëse dhe ato ndërkombëtare.

Komisioni për Ekonomi në Kuvendin e Kosovës po angazhohet që, përmes këtij projektligji, të adresojë edhe çështjen e keqpërdorimit të energjisë elektrike për pasurim me kriptovaluta në komunat me shumicë serbe në veriun e Kosovës, ku qytetarët nuk paguajnë për rrymën që e shfrytëzojnë.

Sipas ligjvënësve që po punojnë në hartimin e rregullave për industrinë e kriptovalutave, projektligji pritet të miratohet para fundit të vitit 2021. Ai tashmë ka kaluar fazën e parë të hartimit, ndërsa për nismën ligjore do të zhvillohet edhe dëgjim publik.

Më poshtë ju shpjegojmë se çfarë saktësisht është kriptovaluta dhe si funksionon ajo, se çfarë është “blockchain”, se si verifikohen transaksionet e kriptovalutave, se si mund të bëhet një persron minator kriptovalute, por edhe se si mund t’i përdorni kriptovalutat, dhe se si dhe a duhet të investoni në kriptovaluta.

ÇFARË SAKTËSISHT ËSHTË KRIPTOVALUTA?

Kriptovaluta është para digjitale, e decentralizuar, e bazuar në teknologjinë “blockchain” (shqip: blloqe zinxhir). Mund të keni dëgjuar tashmë për versionet më të popullarizuara, Bitcoin dhe Ethereum, por ekzistojnë mbi 5.000 kriptovaluta të ndryshme në qarkullim, sipas uebsajtit për monitorimin e tregut të kriptovalutave, CoinLore.

Kriptovalutat mund të përdoren për të blerë mallra dhe shërbime të zakonshme, ndonëse shumë njerëz investojnë në to, ashtu sikurse në pasuri të tjera, siç janë aksionet apo metalet e çmueshme. Përderisa kriptovaluta është një lloj i ri dhe interesant i pasurisë, blerja e saj mund të jetë e rrezikshme, pasi duhet të bëni hulumtime të konsiderueshme për ta kuptuar mënyrën se si funksionon secili sistem.

SI FUNKSIONON KRIPTOVALUTA?

Kriptovaluta është mjet shkëmbimi, i cili është digjital, i koduar dhe i decentralizuar. Ndryshe nga euroja apo dollari amerikan, nuk ekziston një autoritet qendror që menaxhon dhe ruan vlerën e një kriptovalute. Këto detyra janë të shpërndara gjerësisht mes përdoruesve të një kriptovalute, nëpërmjet internetit. Bitcoin ishte kriptovaluta e parë, e propozuar nga Satoshi Nakamoto, në një dokument të vitit 2008, të titulluar “Bitcoin: Sistem elektronik, pa ndërmjetësues, i parasë së gatshme”.

Nakamoto e përshkroi projektin si “një sistem elektronik pagesash, i bazuar në dëshmi kriptografike, në vend të besimit”.

Kjo dëshmi kriptografike vjen në formë të transaksioneve, të cilat verifikohen dhe regjistrohen në formën e një programi, të quajtur “blockchain”.

ÇFARË ËSHTË “BLOCKCHAIN”?

“Blockchain” është një libër i hapur, i shpërndarë, i cili regjistron transaksionet me shifra. Në praktikë, është disi si një libër shitblerjeje, që është i shpërndarë nëpër kompjuterë të pafundmë nëpër botë. Transaksionet regjistrohen në “blloqe”, të cilat lidhen me njëra-tjetrën nëpërmjet një “zinxhiri” të transaksioneve të mëparshme të kriptovalutës, shkruan Forbes.

“Imagjinojeni një libër, ku e regjistroni çdo shpenzim paraje çdo ditë. Secila faqe është e ngjashme me një bllok, ndërsa i tërë libri, një grup faqesh, përbën një ‘blockchain’”.

Buchi Okoro – shef ekzekutiv dhe bashkëthemelues i këmbimores afrikane të kriptovalutës, Quidax

Me “blockchain”, secili person që përdor një kriptovalutë e ka kopjen e vet të këtij libri, për të krijuar një regjistër të unifikuar transaksionesh. Programi regjistron çdo transaksion të ri sapo ai ndodh, dhe çdo kopje e “blockchain”-it përditësohet njëkohësisht me informata të reja, duke i mbajtur të gjithë regjistrat identikë dhe të saktë.

Për të parandaluar mashtrimet, secili transaksion verifikohet, duke përdorur njërën prej dy metodave kryesore të sanksionimit: dëshminë e punës apo dëshminë e pronësisë.

DALLIMI MES DËSHMISË SË PUNËS DHE DËSHMISË SË PRONËSISË
Dëshmia e punës dhe dëshmia e pronësisë janë dy teknika të ndryshme të sanksionimit, që përdoren për të verifikuar transaksionet, para se ato të shtohen në “blockchain”, dhe që i shpërblejnë verifikuesit me më shumë kriptovaluta. Zakonisht, kriptovalutat e përdorin ose dëshminë e punës, ose dëshminë e pronësisë, për të verifikuar transaksionet.

Dëshmia e punës: “Dëshmia e punës është metodë e verifikimit të transaksioneve në ‘blockchain’, ku një algoritëm paraqet një problem matematikor, të cilin kompjuterët garojnë për ta zgjidhur”, thotë Simon Oxenham, menaxher i mediave sociale në Xcoins.com.

Secili nga kompjuterët pjesëmarrës, të cilëve shpesh i referohen si “minatorë”, zgjidh një detyrë matematikore, e cila ndihmon për verifikimin e një grupi transaksionesh – të cilit i referohen si bllok – dhe më pas e shton atë në regjistrin “blockchain”. I pari kompjuter që e zgjidh detyrën shpërblehet për përpjekjen me një shumë të vogël kriptovalute.

Kjo garë për të zgjidhur detyrat për “blockchain” mund të bëjë që të harxhohet shumë fuqi kompjuterike dhe energji elektrike. Në praktikë, kjo do të thotë se minatorët mezi dalin në fitim me kripton që marrin për verifikimin e transaksioneve, pas llogaritjes së kostos së energjisë dhe të resurseve kompjuterike.

alt text

Dëshmia e pronësisë: Për të reduktuar harxhimin e energjisë së nevojshme për kontrollimin e transaksioneve, disa kriptovaluta përdorin metodën e verifikimit nëpërmjet dëshmisë së pronësisë. Me këtë dëshmi pronësie, numri i transaksioneve që çdo person mund të verifikojë është i kufizuar me shumën e kriptovalutës që ata janë të gatshëm ta bllokojnë përkohësisht në një kasafortë të përbashkët, për të pasur mundësinë të marrin pjesë në këtë proces. “Është pothuajse si një hipotekë bankare”, thotë Okoro. Secili person që fut kripto në kasafortë ka të drejtë të verifikojë transaksione, por gjasat që të zgjidhen për këtë detyrë rriten me shumën që dorëzohet.

“Për shkak se dëshmia e pronësisë heq zgjidhjen e detyrës që harxhon energji, është shumë më efikase sesa dëshmia e punës, dhe mundëson kohë më të shpejtë të verifikimit apo konfirmimit të transaksioneve”.

Anton Altement – shef ekzekutiv i Osom Finance

Nëse pronari (nganjëherë quhet verifikues) zgjidhet për të konfirmuar një grup të ri transaksionesh, ai do të shpërbëhet me kriptovalutë, që mund të arrijë shumën e përgjithshme të tarifave të transaksionit nga blloku i transaksioneve. Për të parandaluar mashtrimet, nëse një person zgjidhet dhe verifikon transaksione të pavlefshme, ai humb një pjesë të parave që ka dorëzuar.

ROLI I KONSENSUSIT NË KRIPTO

Edhe dëshmia e pronësisë, edhe dëshmia e punës, mbështeten në mekanizma konsensusi për të verifikuar transaksionet. Kjo nënkupton që përderisa secila shfrytëzon përdorues individualë për të verifikuar transaksionet, secili transaksion i verifikuar duhet të kontrollohet dhe të aprovohet nga shumica e mbajtësve të librave të shitblerjes.

Për shembull, një pirat kompjuterik (apo haker) nuk mund ta ndryshojë librin e “blockchain”-it, përveç nëse arrin ta verifikojë versionin e tij mashtrues nga të paktën 51 për qind të mbajtësve të librit. Resurset e nevojshme për ta bërë një gjë të tillë i bëjnë minimale gjasat për mashtrim.

SI MUND TË BËHESH MINATOR KRIPTOVALUTE?

Nëpërmjet minierave lëshohen njësi të reja të kriptovalutës në botë, kryesisht në shkëmbim të verifikimit të transaksioneve

Përderisa në teori është e mundshme që një person i rëndomtë të bëhet minator kriptovalutash, kjo është gjithnjë e më vështirë në sistemet e dëshmisë së punës, si Bitcoin.

“Teksa rrjeti i Bitcoin-it po rritet, ai po bëhet më i ndërlikuar, dhe nevojiten procesorë më të fuqishëm. Konsumatori mesatar arrinte ta bënte këtë, por tani është thjesht shumë e shtrenjtë. Të duhet të garosh me aq shumë njerëz që i kanë përsosur pajisjet dhe teknologjinë e tyre”.

Dhe, mos harroni: Kriptovalutat me sistem të dëshmisë së punës harxhojnë shumë energji. Llogaritet se 0.21 për qind e elektricitetit të mbarë botës harxhohet për të fuqizuar minierat e Bitcoin-it. Zvicra përdor një sasi të tillë energjie brenda vitit. Llogaritet se minatorët e Bitcoin-it harxhojnë 60 deri në 80 për qind të fitimeve nga puna si minatorë, për të mbuluar kostot e rrymës. Përderisa s’është e lehtë që një person i thjeshtë të fitojë kripto duke punuar si minator në një sistem të dëshmisë së punës, modeli i dëshmisë së pronësisë kërkon më pak resurse të fuqishme kompjuterike, teksa verifikuesit zgjidhen rastësisht, bazuar në shumën që dorëzojnë. Megjithatë, ky sistem kërkon që tashmë të keni në pronësi kriptovaluta, në mënyrë që të mund të merrni pjesë. (Nëse nuk keni kripto, s’keni asgjë për të dorëzuar).

Kategoritë
LajmeVendi