Challandes: Të ndryshojmë mentalitetin, shikoni Italinë që fitoi EURO 2020!

Kosova përballet me Gjeorgjinë, Greqin dhe Spanjën më 2, 5 dhe 8 shtator, në tri duele të rëndësishme për kualifikueset e Botërorit “Katar 2022”. Pasi FFK ka publikuar listën e lojtarëve që do të jenë të grumbulluar për këto sfida, trajneri Bernard Challandes ka dalë para mediave.

“Në tri ditët e ardhshme do të kemi tri ndeshje të vështira dhe interesante. Nuk mund të them se për ne është fillimi i një fushate të re, pasi kemi luajtur dy ndeshje. Por, mund të them se është fillim i ri, pasi kemi pasur një periudhë të suksesshme dhe të pasuksesshme.

Për mua, është koha që të rindërtojmë një ekip të fortë. Nuk kemi qenë në Evropian, por duhet të marrim mësime nga ky turne. Ka ardhur koha të krijojmë një skuadër që ka vlera sikurse më herët. Është koha që të kemi një mentalitet të fortë dhe të duhur për Kosovën.

Kemi ndjekur Evropianin dhe kemi pasur mundësi të shohim gjëra të rëndësishme. Nuk kanë të bëjnë me aspektin fizik e as taktik, por me mentalitetin. Është koha që Kosova menjëherë ta ndryshoj mentalitetin dhe nëse këtë nuk e bën prej ndeshjes së ardhshme, do të kemi sërish probleme.

Kjo nënkupton se unë menjëherë do të flas sonte me ekipin se duhet ta ndryshojmë mentalitetin tonë, pasi ky është fokusi im gjatë këtij grumbullimi. Nuk e kam mendjen te kualifikimi në Kampionatin Botëror, por te progresi i ekipit.

Tani në mendjen time është vetëm ndeshje me Gjeorgjinë dhe duhet të reagojmë për të dëshmuar se kemi bërë progres. Sa i përket mentalitetit, ky është ndryshimi i parë që na duhet. Ka tri vite që jam në krye të Kosovës dhe është e qartë që jam i pakënaqur në këtë aspekt.

Për këtë arsye jam fokusuar te ndryshimi i mentalitetit. Falë mentalitetit, edhe Italia arriti të triumfojë në Evropian pas dështimit në Botërorin e Rusisë. Mancini së parë në ekip ka bërë ndryshimin e mentalitetit”, është shprehur Challandes mes të tjerash para mediave.

Kategoritë
Sport