CIA: Rusia mund të përdorë armë bërthamore

Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Willam Burns, u shpreh të enjten i shqetësuar se Rusia mund të përdorë armë bërthamore taktike ose me ndikim të ulët.

Komenti i William Burns erdhi gjatë një fjalimi mbi punën e CIA-s drejtuar studentëve dhe pedagogëve në Institutin Teknik të Xhorxhias.

Ai shpjegoi se tri sfidat e rëndësishme, me të cilat përballet SHBA-ja, janë Kina, Rusia dhe teknologjitë në zhvillim.

“Pjesa më të madhe të flokëve të mi gri janë zbardhur duke u marrë me Rusinë e Vladimir Putinit”, deklaroi kreu i CIA-s dhe shtoi se kur shërbente si ambasador i SHBA-së në Moskë gjatë viteve 2005-2008, ai kishte vëzhguar jo vetëm “një besim kokëfortë, pothuajse mistik të Vladimir Putinit për të rivendosur sferën e ndikimit të Rusisë, por edhe ankesa të vazhdueshme, lakmi, mosbesim dhe ndjenja të fuqishme hakmarrje” nga ana e liderit rus.

“Sa më shumë dominimi i tij mbi Rusinë zgjerohet, aq më tepër Putinit i shtohet oreksi i rrezikut”, argumentoi Burns, ndërsa theksoi se njerëzit përreth tij nuk e vënë në dyshim asnjëherë të vetme këtë situatë.

Pasi rikujtoi se në fillim të vjeshtës së kaluar inteligjenca amerikane filloi të mbledhë informacione që Putini ishte duke përgatitur një plan të ri dhe të madh për të pushtuar Ukrainën, drejtori i CIA-s tha se udhëheqësi rus dhe njerëzit përreth tij ëndërrojnë që Rusia mund të bëhet një fuqi e madhe vetëm me një Ukrainë nën kontrollin e saj.

Ai risolli në kujtesë edhe operacione të tjera të Moskës me pasojë vdekjen e mijëra civilëve në të kaluarën dhe vuri në pah se duke nisur nga kjo, nuk ka asnjë dyshim që Rusia do t’i shkaktojë dhimbje e dëme Ukrainës përmes luftës që po vazhdon prej 24 shkurtit (2022) dhe se do të përdorë dhunë ekstreme kundër civilëve.

Sipas tij, Putini mendonte që Evropa do të “shpërqendrohej” përpara pushtimit dhe e llogariti gabim vendosmërinë e popullit ukrainas.

Në fjalimin e tij të parë publik si drejtor i CIA-s, Burns tha se inteligjenca ishte e rëndësishme për të hedhur poshtë pretendimet e Putinit kinse konflikti ishte provokuar nga Ukraina.

“Për mendimin tim, ne ndihmuam në ndërtimin e besueshmërisë me aleatët tanë, gjë që kontribuoi në gatishmërinë e tyre për të rritur dhe mbështetur aftësinë e Ukrainës për t’u vetëmbrojtur dhe për të mbështetur sanksione shumë më të ashpra nga sa mund të kishin imagjinuar fillimisht kundër Rusisë”, deklaroi ai.

Më tej, Burns shpjegoi se janë të shqetësuar nga mundësia e përdorimit të armëve bërthamore taktike ose me ndikim të ulët nga Rusia, sepse përdorimi i fuqisë bërthamore në raste vështirësie është pjesë e doktrinës ruse.

“Duke pasur parasysh dëshpërimin e mundshëm të Putinit mbi ecurinë e luftimeve, pengesat me të cilat trupat ruse janë përballur deri më tani, askush nuk mund ta marrë lehtë kërcënimin e paraqitur nga një përdorim i mundshëm i armëve bërthamore taktike”, u shpreh shefi i CIA-s mes të tjerash.

Armët bërthamore taktike i referohen atyre të prodhuara për përdorim në fushën e betejës. Disa ekspertë vlerësojnë se Rusia ka rreth 2.000 të tilla, të cilat mund të nisen nga forcat ajrore, detare dhe tokësore.

Kategoritë
BotaLajme